Brenda një viti, mbi 200 ankesa kanë bërë qytetarët e Kosovës për shërbimet publike e private shëndetësore. Por, vetëm në 3 raste, përkatësisht 1.5 për qind, vendimi i institucionit u ka dhënë të drejtë pacientëve. Në të gjitha të tjerat, sipas raportit, u është dhënë e drejta stafit shëndetësor dhe spitaleve
Shumica dërrmuese e ankesave që pacientët bënë për sistemin publik e atë privat shëndetësor nuk morën përgjigje pozitive nga trupat institucionalë që i trajtojnë ankesat.
Një raport i vitit 2022 i Ministrisë së Shëndetësisë nxjerr në pah të dhënën se për një vit qytetarët kanë adresuar 204 ankesa. Por, vetëm në 3 raste, përkatësisht 1.5 për qind, vendimi i institucionit u ka dhënë të drejtë atyre.
Në të gjitha rastet e tjera, sipas raportit, u është dhënë e drejtë stafit shëndetësor dhe spitaleve.
E masat e vetme që janë marrë në pak raste, janë: një rast përfundoi në Komision disiplinor e dy vërejtje u bënë me gojë.
Arsyet e shprehura në ankesa, janë të ndryshme. Më të shpeshta janë: Mungesa e stafit në vend të punës; Sjellja joetike profesionale e stafit shëndetësor; si dhe Mungesa e barnave.
KOHA ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë se cilat janë argumentet që kanë përdorur trupat institucionalë, kur kanë refuzuar ankesat për mungesë barnash, meqë në një rast të tillë nuk kryen punë vlerësimi subjektiv. Por, ka munguar përgjigjja.
Në vitin 2021 qytetarët patën ankesa me shumë në sistemin publik shëndetësor. Gjithsej u ankuan 287 qytetarë, ndërsa në favor të tyre u vendos në 9 raste.
Raporti flet edhe për vështirësitë që kanë dalë gjatë trajtimit të ankesave.
Pengesat më të shpeshta ishin mosfunksionalizimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e Linjës së Ankesave të Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor; Mungesa e zyrtarit për regjistrimin dhe procedimin e ankesave (me përshkrim të detyrave të punës) dhe; mungesa e kontratës për mirëmbajtjen e aparaturës për linjën e ankesave.
Edhe raportet e viteve të kaluara tregojnë statistika të përafërta të ankesave, e edhe shkallë pothuajse të njëjtë të zgjedhjes së rasteve.
Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka publikuar raportin e ankesave dhe të trajtimit të tyre për vitin 2023.