Një i vrarë e katër tentimvrasje janë regjistruar në raportin gjashtëmujor të Policisë së Kosovës në Komunën e Podujevës.
Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në të cilën është raportuar për periudhën janar-qershor 2023, komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Nijazi Jashari, ka thënë se gjatë kësaj kohe janë arrestuar 202 veta.
“Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë komandanti i Stacionit Policor, Nijazi Jashari raportoi se gjatë periudhës janar-qershor 2023 janë raportuar 174 raste të aksidenteve të trafikut, 1 vrasje, 4 tentim vrasje, 37 kanosje, 34 raste dhunë në familje, 40 raste të vjedhjeve, 30 raste armë mbajtje pa leje, 202 arrestime dhe 4468 tiketa të shqiptuara për kundërvajtje në trafik”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe informim të Komunës së Podujevës.
Nw komunikatw thuhet se përfaqësuesi i KFOR-it e ka vlerësuar të qetë dhe stabile gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Podujevës, si dhe ka ritheksuar gatishmërinë e KFOR-it për ruajtjen dhe sigurinë e përgjithshme publike.
“Ndërsa, lidhur me pikën e tretë të rendit të ditës për masat dhe sensibilizmin e qytetarëve për pasojat nga zjarri gjatë periudhës së korrje-shirjeve, djegieve të pyjeve dhe vërshimeve, ka folur zyrtari i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Kujtim Zhitia, si dhe drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Vigan Salihu duke thënë se është përcjellë në vazhdimësi situata në terren dhe në koordinim të ngushtë me Brigadën e Zjarrfikësve është intervenuar aty ku ka pasur nevojë”, thuhet në këtë komunikatë.
Tutje thuhet se gjatë diskutimit për informatën e gjendjes pyjore, i autorizuari për kryerjen e detyrave të Drejtorit të Bujqësisë, Vigan Salihu ka thënë se gjatë kontrolleve të prerjes ilegale të masës drusore janë konfiskuar masë drusore në sasi prej 38.14m³.
“Lidhur me pikën e katërt ka folur drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ku i informoi KKSB-në në lidhje me planifikimin e buxhetit për vitin 2024, si dhe u kërkoi bashkëpunim në lidhje me paraqitjen e propozimeve për investime të cilat e rrisin sigurinë e përgjithshme në komunën tonë”.