Rritja e buxhetit për barna në 60 milionë euro, nuk u ka dhënë përgjigje nevojave të një 50-vjeçareje, e diagnostikuar me kancer primar të gjirit, që sëmundja i ka metastazuar edhe në organe të tjera. Ajo është duke përdorur barin Valamor, që për dozën që merret çdo tri javë kushton afro 3 mijë euro. Ky bar nuk është pjesë e Listës Esenciale dhe pacientja ka thënë se është detyruar të hyjë në kredi
Një grua rreth të pesëdhjetave që vuan nga sëmundja e kancerit, është dashur shumë herë të marrë rrugë deri të Ministria e Shëndetësisë, me shpresën se do të marrë ndihmën e kërkuar financiare për trajtimin e sëmundjes së saj. Edhe të premten ajo ka qëndruar në ministri, ku i ka rastisur të takojë edhe drejtuesit e saj.
Për KOHËN ajo ka rrëfyer jo vetëm për periudhën e vështirë që po kalon tash e refuzimin që po u bëhen kërkesave të saj, por edhe për kohën që po diagnostikohej. E kjo kohë thotë se nuk ishte e shkurtër.
“Kom shku prapë pas një javë. Jo nuk ke kurgjo. Kam shku prapë pas dy jave pra do të thotë nuk e di sa ultrazëra rresht i kam ba, por nuk kanë vërejt diçka. Kanë thanë është gjëndër dhjamore. S’është e keqe kjo. Djegësimi i krahit shkoj t’u m’u rritë, deri te gishti i dorës që më shkoi. E pashë që nuk jam mirë”, ka thënë ajo.
Tregon se aq shumë mjekë ka konsultuar sa disave nuk ua mban në mend emrat.
“U nisa të krejt doktorët, ku i kom ditë që janë ma të mirët me shku. Edhe në fund krejt s’ke kurgja, s’ke kurgja. Fillova me shku edhe në Shqipëri, edhe ata me thanë që s’ke kurgja. Në shpi më thoshin a je normal, krejt ata alamet specialista e ti po shtyhesh me ta edhe s’disha çka me ba. Tre muaj u qetësojsha nuk folsha hiç... hajt se nashta nuk jam normal... jam ba vesvese. Prapë ato ankesa i kisha. Në fund me këmbëngulje kërkova me ma ba biopsinë”.
Sipas saj, prej dyshimit të parë e deri te diagnoza finale kishin kaluar disa muaj.
“U pata lodhë te mjekët t’u shku krejt kohën. Jo që kisha dhimbje, por e disha që diçka nuk është në rregull. Edhe kur u lodha ma, se u mërzita, se me thoshin ti nuk je normal, je ba vesvese thjesht. Pastaj kur ma caktun diagnozën u pajtova. U pajtova se thashë ta dinë krejt çka kam pas”, rrëfen ajo.
Historia e trajtimit të saj shëndetësor është e gjatë. Pas diagnostikimit me kancer të gjirit, ajo shkoi për kontrolle e trajtim jashtë vendit, ku do të kuptonte që sëmundja ka avancuar dhe tashme kanceri ka metastazuar edhe në organe të tjera. Nga specialistët i është e rekomanduar bari Valamor, që nuk ka qenë në Listën Esenciale e nuk është as në Listën e reviduar këto ditë.
“Valamar quhet - ribusiklib. Unë i pi tri tableta të 200 mg çdo ditë, i bie 600 mg në ditë. Një kuti çdo 3 javë... Tremijë e sa euro ka kushtuar në fillim, mirëpo tash me një barnatore që kam pyet edhe me 1300 euro e kom gjet. Që 2 vjet jam tu i marrë. Ma nuk po mundem. Jam në kredi 20 mijë euro që jam hy për qeto barna. Ma nuk po kam kah me ia majtë”, ka thënë ajo.
Brenda në ministri ajo të premten ka thënë se ka takuar disa zyrtarë. I ka rastis ta takojë edhe ministrin Arben Vitia. Por nuk ishte optimiste se do i bëhej zgjidhje.
“Doktor Arben Vitinë e takova, Driton Velën – t’kom kallzu ty, s’ka. Kam ba kërkesë edhe me shkrim në krejt vendet. Mirëpo s’ka, nuk kemi mundësi. Këndej po thonë 60 milionë e kemi buxhetin për shëndetësi. Edhe unë jam njeri”, thotë ajo.
Ajo shpresa kishte në procesin e revidimit të Listës Esenciale që tashmë ka përfunduar.
“E kishin nënshkru qet Listën Esenciale, për të cilën kam shpresu shumë. Unë ja thashë edhe qeta, nëse keni mundësi për naj rimbursim a diçka tash ta shohim. Brenda javës të kthejmë, por jo nuk ka mundësi”, ka thënë pacientja që aktualisht është pa terapi.
“Nuk e di se kah me ja majt çka me ba. Kur bi me fjetë, thom çka me ba për nesër që nuk kam barna. Unë gjithë me shpresë që po na ndihmojnë, kur po vijmë po thonë jo. Na edhe sëmundjen tonë ngarkesë e edhe materialisht, nuk e di çka...”, ka përfunduar ajo.
KOHA i ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë e Klinikën e Onkologjisë për këtë çështje, por ata ende nuk janë përgjigjur. Burimet kanë thënë që klinika kishte kërkuar këtë lloj bari për 30 pacientë, por që kjo kërkesë nuk kishte kaluar në komitetin e Listës Esenciale.