Arbëri

2 javë pas zgjedhjeve, MPJ-ja e pagoi 90 mijë dollarë avans kompaninë amerikane për lobim

Dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve që nxorën pushtet të ri dhe më shumë se 3 muaj pas dorëheqjes së qeverisë Haradinaj, nga llogaria e Ministrisë së Punëve të Jashtme, 90 mijë dollarë janë ndarë për një kompani amerikane, që del të jetë regjistruar tek gjatë këtij viti.

Ministri Behgjet Pacolli ka gjetur kompaninë Global Strategic Advisory Services, për ta ndihmuar në kontaktet me zyrtarë të Qeverisë dhe biznesmenë amerikanë, në kuadër të lobimit, raporton KTV.

Dokumentet për këtë marrëveshje janë publikuar në ueb-faqen e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, aty ku është obligative që të bëhen publike marrëveshjet e tilla të kompanive amerikane të lidhura me palë të shteteve të tjera.

Në pikën 9 të saj, ku kërkohet të përshkruhen aktivitetet e regjistruesit, në këtë rast kompanisë, saktësohet se kjo e fundit do të ndërmjetësojë në kontaktet mes zyrtarëve të Qeverisë amerikane, por edhe bizneseve të këtij shteti me Qeverinë e Kosovës.

Në pikën 10 të saj, ku kërkohet të përshkruhen aktivitetet politike, kompania shpjegon se nga ajo pritet të këshillojë Ministrinë, përveç tjerash, edhe se si të ndiqen çështjet e identifikuara si me interes, pa i specifikuar se cilat janë ato.

Gjithashtu, në këtë pikë sqarohet se MPJ-ja do të këshillohet nga kompania se cilët zyrtarë amerikanë duhet kontaktuar në raste të ndryshme, por edhe interpretimin e reagimeve nga ta si dhe përgjigjet e duhura ndaj tyre.

Pagesa prej 90 mijë dollarësh, si avans për këtë kompani, është bërë më 17 tetor të këtij viti, datë që paraqitet edhe si dita kur është arritur marrëveshja me Ministrinë, por aty theksohet të mos ketë një kontratë formale për çështjen.

“Një letër-marrëveshje është dërguar në Ministrinë e Jashtme, më 17 tetor 2019, por një version i nënshkruar nuk është kthyer ende,” sqaron kompania.

Pronar i kompanisë është James C.Menges, i afërt me Rudy Giuilianin, ish-kryetarin e Nju Jorkut, tani avokat i presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç Mengesit, në dokumente shfaqet edhe emri i avokatit Terry T.Campo, që nuk ka kthyer ndonjë përgjigje në tentimin e televizionit për ta marrë qëndrimin e tij.

Ngjashëm, sikur edhe për raportime të tjera, Ministria e Punëve të Jashtme, sërish ka heshtur në pyetjet e televizionit, për të kuptuar mes tjerash edhe shumën totale të marrëveshjes me këtë kompani.