Arbëri

Ish-kryetari dhe nënkryetari i Klinës dënohen me nga 6 muaj burgim me kusht

Ish-kryetari i Klinës Sokol Bashota është dënuar sot me 6 muaj burgim me kusht. Me të njëjtën masë është dënuar edhe Enver Berisha, i cili në atë kohë ishte nënkryetar komune.

Bashotën gjykata e shpalli fajtor për shkak se në cilësinë e tij si kryetar i komunës së Klinës, në vazhdimësi nga muaji mars i vitit 2013 deri në muajin mars të vitit 2016, duke pasur obligim ligjor që në Agjensionin Kosovar Kundër Korrupsionit ta dorëzojë për çdo vit një deklaratë për pronën, të ardhurat, dhuratat apo dobitë materiale.

Sipas Gjykatës i pandehuri me dashje nuk ka deklaruar dhuratat dhe informatat për pronësinë mbi banesën dhe automjetin BMW X5, me çka ka kryer vepër penale mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave e dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Të pandehurin gjykata e ka shpallur fajtor për shkak se në vazhdimësi nga marsi i vitit 2015 deri në mars të vitit 2016, në cilësinë e zëvendëskryetarit të Komunës së Klinës duke pasur obligim ligjor që në Agjensionin Kosovar kundër korrupsionit ta dorëzonte për çdo vit një deklaratë për pronën, të ardhurat, dhuratat apo dobitë materiale tjera sipas nenit 3, 5,8 të Ligjit nr.04/L-050 dhe të ndryshimeve të pastajme të tij, me dashje nuk i ka deklaruar informatat për pronësinë, tokën dhe ngastrat katastrale, me çka ka kryer veprën penale mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare në kundërshtim me nenin 437 par.2 te KPK-së për çka u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh i cili dënim nuk ka për t’u ekzekutuar me kusht që i akuzuari në afat prej një viti nuk do të kryej vepër të re penale dhe dënim gjobe në të holla në shumën prej 1 mijë euro.

Gjykata thotë se dënimi me gjobë duhet të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh , në të kundërtën i njëjti dënim do t’i zëvendësohet me dënim burg duke llogaritur 20 euro për çdo ditë burgu. I pandehuri detyrohet që gjykatës në emër të paushallit gjyqësorë t’ia paguaj shumën prej 30 euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.