Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën më Maqedoninë e Veriu pritet të inaugurohet më 29 maj të këtij viti.
Realizimi i këtij projekti ka filluar në vitin 2014, kurse punët sipas planit, është dashur të përfundojnë në fund të vitit të kaluar, por siç është thënë, kushtet e pafavorshme atmosferike kanë ndikuar në shtyrjen e përfundimit të këtij projekti.
Kjo autostrada, e quajtur “Arbën Xhaferi”, tash për tash shtrihet nga Prishtina deri në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Kurse në të ardhmen e afërt do të lidhë Prishtinën dhe Shkupin. Ajo ka një gjatësi prej 60 kilometra dhe në të cilën përfshihet edhe ura me e gjatë në rajon, Ura e Kaçanikut, me gjatësi prej 6 kilometrash.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se tashmë gjithçka është në fazën finale dhe në fund të muajit pritet inaugurimi zyrtar.
“Sa u përket punimeve janë në fazën e fundit, është pastrimi i trasesë, vendosja e shenjave të komunikacionit, kështu që shpresojmë se gjithçka do të jetë gati më 29 maj”, tha Kadriu.