Nga 350 vende në konkursin që Ministria e Shëndetësisë do të hapë për specializime, rreth 160 janë rezervuar për Mjekësinë Familjare. Bazuar në një draftdokument të cilin e siguroi KOHA, numri i vendeve të aprovuara për specializim bie në mospërputhje me kërkesat që i kanë adresuar spitalet publike.
Ministria e Shëndetësisë do të hapë konkurs për 350 specializantë, kanë njoftuar të mërkurën ministri Arben Vitia dhe kryesuesi i Bordit për Specializime, Edmond Haliti. Ani se shpërndarja e numrave ende nuk është bërë publike, burime të KOHËS kanë thënë që më së shumti pozita do të këtë për Mjekësi Familjare – rreth 160.
Një draftdokument, të cilin e ka parë KOHA por që nuk është final, shpalos hollësi edhe për fusha të tjera.
Kategoria e parë në këtë draft është quajtur prioritare.
“Kategoria: lëmitë specialistike prioritare (profesionistët aplikojnë sipas kushteve dhe kritereve të konkursit dhe radhiten sipas pikëve të grumbulluara me sistem zbritës, duke bërë përzgjedhjen e lëmisë dhe institucionit të preferuar pas rangimit, ndërsa pas procesit përzgjedhës lidhin kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet publike shëndetësore brenda ShSKUK (sipas kërkesave të këtyre të fundit)”, thuhet në dokument.
Aty janë listuar disa lloj specializimesh.
Ani se Kosova ka deficit të mjekëve anesteziologë, në dokument thuhet se nga spitalet janë adresuar kërkesa për 58 pozita, porse konkursi do të hapet për 19, përfshirë 8 për QKUK-në, nga 2 për Spitalin e Ferizajt, të Gjilanit, Mitrovicës, Pejës dhe të Prizrenit dhe nga një për Spitalin e Gjakovës, ndërkaq për Spitalin e Vushtrrisë, drafti nuk parasheh asnjë vend.
Në dokument ceket se në specializim, në këtë lëmi, aktualisht janë 33 mjekë.
Spitalet publike kanë kërkuar 23 vende për kirurgë të përgjithshëm, por në draft janë miratuar 9. Institucionet spitalore kanë kërkuar edhe 17 specializime për Nefrologji e i morën 4.
Sivjet do të ketë konkurs për specializim në Mjekësi Interne, mirëpo jo për QKUK-në, por për disa spitale rajonale.
Kriza me pandeminë COVID-19 pati shpërfaqur mungesën e mjekëve në disa fusha të mjekësisë, që lidhen me sëmundje ngjitëse dhe të shëndetit publik, por as në këto sfera nuk janë përmbushur kërkesat e spitaleve. Nga 17 sa ishin në lëmin e Shëndetit Publik, janë aprovuar vetëm 2.
E për epidemiologji janë kërkuar 21 vende, ndërsa janë aprovuar 12, e nga 10 kërkesat në fushën e sëmundje ngjitëse, aprovimin e morën 4.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi për mungesën e specialistëve në disa lëmi dhe në shumë spitale publike.
Në Spitalin e Pejës veprojnë vetëm 2 radiologë, porse nuk ka konkurse për specializantë të rinj, e në atë të Vushtrrisë ka vetëm një anesteziolog e në draft nuk figuron se do të ketë konkurs.
Kategoria e dytë ku futen edhe 160 vendet për mjekët familjare është për shëndetësinë primare.
“Lëmitë specialistike për Kujdesin Primar Shëndetësor (profesionistët aplikojnë sipas kushteve, kritereve të konkursit në këtë kategori, radhiten sipas pikëve të grumbullura me radhitje zbritëse, por parakusht për këtë kategori është rekomandimi/letra mbështetëse dhe kontrata paraprake me institucionet e KPSh-së, sipas kërkesave të tyre dhe zotimit se do të mbështesin shkollimin specialistik, ndërsa pas procesit përzgjedhës lidhin kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet publike shëndetësore te KPSh-së)”, thuhet aty.
Në konkurs janë paraparë edhe rreth 20 vende për specializantë të spitaleve private që janë në kategorinë e tretë, teksa më nuk do të ketë specializantë me vetëfinancim.
“Kategoria: lëmitë specialistike për Institucionet Publike shëndetësore ose jo shëndetësore të tjera që ju nevojiten profesionistët shëndetësorë të specializuar sipas lëmive që ata kanë kërkuar (profesionistët aplikojnë sipas kushteve, kritereve të konkursit në këtë kategori, radhiten sipas pikëve të grumbulluara me radhitje zbritëse, por parakusht për këtë kategori është rekomandimi/letra mbështetëse dhe kontrata paraprake me institucionin përkatës, sipas kërkesave të tyre dhe zotimit se do të mbështesin shkollimin specialistik, ndërsa pas procesit përzgjedhës lidhin kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionin në fjalë)”, thuhet në draft.
Ministri Vitia tha se konkursi i reflekton nevojat optimale të institucioneve.
“Duke marrë parasysh numrin e madh të specializantëve në konkursin e vitit 2020, mbi 1 mijë e 500 specializantë, pa planifikime strategjike duke tejkaluar planifikimin e burimeve njerëzore pa e evidentuar paraprakisht kuadrin deficitar dhe pa asnjë parashikim të kapaciteteve mentoriale dhe infrastrukturore, ka bërë që të mbingarkohen disa klinika. Po ashtu, janë krijuar edhe mungesa të kuadrit profesional në disa lëmi të tjera”, ka deklaruar ai.
E kryesuesi i Bordit për Specializime theksoi se në konkurs nuk janë përsëritur gabimet e së kaluarës.
“Ajo çka jemi munduar të bëjmë është një planifikim objektiv, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës, duke parë dhe gjatë këtyre dy viteve mangësitë në Bordin Specialistik që sistemi ynë i shkollimit specialistik i ka... Ne jemi munduar t’i përmbushim këto nevoja me këtë konkurs që mbulon pak a shumë nevojat kryesore të kujdesit primar shëndetësor, si thelb që mbulon pjesën më të madhe të shërbimeve shëndetësore dhe nevojat e kujdeseve sekondare dhe terciare”, ka thënë Edmond Haliti.
Herën e fundit konkursi për specializime ishte hapur në vitin 2020.