16-vjetori i Pavarësisë i gjen qytetarët e Kosovës me të drejtën për udhëtim të lirshëm në zonën Schengen. Liberalizimi i vizave, që për shtetet e rajonit qe përmbyllur shumë vjet më herët, Kosovës iu hoq tek në janarin e sivjetmë. E këtë mundësi njohësit e integrimeve evropiane e shohin si një veprim që ka ndikuar pozitivisht edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës
Pa detyrimin për pajisje vizash për udhëtime në zonën Schengen i gjen kosovarët përvjetori i gjashtëmbëdhjetë i Pavarësisë së shtetit.
Nga 1 janari i sivjetmë qytetarët po e shfrytëzojnë këtë të drejtë, që iu sigurua pas një procesi të stërzgjatur që u përmbyll rreth 12 vjet, pasi Kosova e mori udhërrëfyesin për viza.
Njohës të integrimeve evropiane thonë se përmbyllja e këtij procesi ka ndikuar pozitivisht edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Pasaporta, shtetësia, është një lloj vizitëkarte, letërnjoftimi i atyre njerëzve që i vizitojnë vendet e ndryshme. Në momentin që është e mundshme që të vizitohen ato vende pa viza është një lloj besimi që ky shtet, edhe një lloj indikatori të shpërfaqjes së marrëdhënies të atij shteti me shtetin që vizitohet që e ka larguar regjimin e vizave”, ka thënë Arben Hajrullahu, profesor universitar.
Udhëtimi pa viza sivjet u mundësua edhe në Spanjë, shtet ky i BE-së që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, por që ia pranoi pasaportat. Hajrullahu e konsideron të rëndësishme që edhe vendet e tjera mosnjohëse t’i pranojnë pasaportat e Kosovës.
“Shpresa është që së shpejti, një ditë, edhe shtetet mosnjohëse, në këtë rast të Bashkimit Evropian, pesë e katër sidomos që janë edhe anëtare të Paktit Veriatlantik të NATO-s, që ta kuptojnë se nuk ka më asnjë kuptim që të vazhdohet me politikën e mosnjohjes të Republikës së Kosovës. Njohja prej këtyre shteteve do të kontribuonte drejtpërsëdrejti në rritjen e sigurisë dhe tejkalimit të konflikteve, dhunës dhe një, të themi, të një trashëgimie jo të këndshme me të cilën janë ballafaquar njerëzit e Kosovës”, ka shtuar ai.
Për më se dy dekada që pas çlirimit, qytetarët e Kosovës kanë qenë të izoluar. Në procesin e stërzgjatur deri në liberalizim, udhëheqës institucionesh e politikanë e synuan kapitalizmin se kush është më meritor për heqjen e vizave që nuk po ndodhte. E kjo ngutje për marrje meritash shpesh i ka vënë ata në situata të palakmueshme.
“Jemi të sigurt se në vitin 2016, qytetarët tanë do të udhëtojnë pa viza”, kishte thënë ish-kryeministri, Isa Mustafa.
“Të nderuar qytetarë, urime liberalizimi i vizave”, kishte thënë ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi më 4 maj 2016.
“Liberalizimi ka ndodhë pardje...Ka ndodhë, ka ndodhë”, kishte deklaruar ish-kryeministri, Ramush Haradinaj më 23 mars 2018.
Në realitet, Kosova asokohe ndodhej larg përmbylljes së procesit. Për pasojë, kosovarët shpesh zgjodhën edhe rrugë ilegale për të kapërcyer kufijtë e Evropës. E, në një rast, më 2009 kjo u kthye edhe në tragjedi. Në lumin Tisa humbën jetën 15 kosovarë gjatë përpjekjes për të emigruar ilegalisht në vendet perëndimore.
Procesi i liberalizimit për Kosovën përveçqë zgjati shumë, pati edhe shumë kushtëzime.
Më 2007, BE-ja e pati firmosur lehtësimin e vizave për 5 vendet e Ballkanit Perëndimor - Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë, por jo edhe për Kosovën. Dy vjet më vonë, qytetarëve të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë iu mundësua të udhëtonin pa viza në shumicën e vendeve të BE-së.
Një vit më vonë, kjo do të ndodhte edhe me Shqipërinë. E për Kosovën, i vetmi hap në këtë drejtim ishte marrja e Udhërrëfyesit më 2012, i cili përmbante 101 kritere, dyfish më shumë nga ato të vendeve të rajonit. Ndër kushtet kryesore ishte lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E më vonë, ky kush ishte i dyti në raport me demarkacionin me Malin e Zi.
Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit EPIK, Demush Shaha, e humbi mundësinë që liberalizimi të ndodhte atëkohë.
“Pra, nga viti 2016 kur u humb ajo mundësi, në vend që të bëjmë që të jemi shembull në avancimin e sundimit të ligjit, ne kemi qenë ai nxënësi i keq i sundimit të ligjit. Prej çështjes pronto, veteranëve, sulmeve që i bëntë në atë kohë ish-kryeministri Haradinaj ndaj prokurorëve. Pra ishte një storje jo e shëndetshme e sundimit të ligjti në Kosovë. Rrjedhimisht, kjo storje e pashëndetshme, ky degradim i sundimit të ligjit i ka dhënë municion politik vendeve skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Shasha.
Megjithëkëtë, liberalizimi nuk ndodhi as pas 21 marsit të 2018-s, kur Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen. Zyrtarët e BE-së ndërruan qëndrimin.
Sipas tyre, duhej dëshmuar edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
E më 2022, kur kosniderohej se të gjitha kushtet ishin plotësuar, Franca, që e pati mbështetjen edhe të disa shteteve tjera, doli me një propozim të ri për vizat: sistemi ETIAS, të cilin nuk e aplikonin as vetë vendet e BE-së.
Për gjithë këto vite kosovarët ishin të vetmit në Evropë që nuk patën mundësi të udhëtonin pa viza në Zonën Schengen. Lëvizja e tyre është “kushtëzuar” me marrjen e ndonjë vize turistike, për bashkim familjar e në raste të tjera, kryesisht në Gjermani, edhe viza pune. Por, për ta kaluar këtë “sfidë” nevojitej një mal me dokumente e shuma të mëdha parash.
“Gjatë viteve 2016-2021 shërbimet konsullore në Kosovë kanë pranuar mbi gjysmë milioni aplikime. Nëse kosotoja mesatare për një aplikim është 165 euro, i bie që qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar rreth 89 milionë euro për viza vetëm gjatë viteve 2016-2021. Nëse kësaj i shtohen edhe viti 2022 dhe viti 2023, atëherë shpenzimet e kosovarëve për viza kanë arritur mesatarisht 118 milionë, domethënë vetëm për këta 8 vjetët e fundit”, ka thënë Arieta Dragusha, zyrtare për komunikim në BPRG.
Në mars të 2023-s po “niste” fundi i procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Asokohe, Këshilli i Ministrave i BE-së, me shumicë të thjeshtë, e pati miratuar liberalizimin e vizave. 18 prillin e shkuar po formalizohej hapi i dytë në Parlamentin Evropian, i cili e miratoi këtë vendim pa votim, meqë nuk pati asnjë kundërshtim.
Një ditë më vonë procesi përmbyllet me nënshkrimin e akti ligjor që pasonte me botimin në Gazetën Zyrtare. E, udhëtimi pa viza u mundësua tek më 1 janar të këtij viti.
“Ideja e vendosjes së Kosovës për një kohë kaq të gjatë në një lloj karantine, sa ka qenë destruktive, aq sa ka qenë edhe e dëmshme edhe për njerëzit e zakonshëm, t’u fillua prej studentëve, përfaqësuesve të bizneseve, kontakteve familjare, etj”, ka deklaruar Arben Hajrullahu, profesor universitar.
Liberalizimi ua mundësoi shumë qytetarëve që për herë të parë të mund t’i vizitonin familjarët në vendet perëndimore. Ata janë shprehur të lumtur që tashmë nuk u duhet të presin para ambasadave për t’u pajisur me viza, ngase udhëtimet tash mund t’i bëjnë kur të duan.
“Hera e parë që po shkoj në Zvicër te djali, 90-vjeçar edhe tri ditë i bëj 90 vjeç. Jemi të gëzuar. Faleminderit që e kanë ba këtë t’shkuar të lirë, me shkua të familja. Ishallah i gjejmë shëndosh, ishallah shkojmë mirë. Krejt kush niset atje, këtyre udhëve”, ka thënë Shaqir Begu, udhëtar.
“Po ndihemi mirë se na e kemi pas pak ma problem me shkua deri tash. U dashke me nxjerr viza anej, me u maltretua në tana anët. Po tash shyqyr na u ba kjo liri me shkua lirshëm edhe jam t’u shkua te djemtë për vizitë, i kemi familjen atje. Kam qejf me shkua me i pa, ata po dëshirojnë. Kështu që na u ka mundësua kjo punë, e mirëseardhur shumë”, ka thënë Gani Bytyçi, udhëtar.
Dalja nga izolimi i rriti edhe kërkesat për udhëtime.
Valentina Gara, zëdhënëse në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thotë se sivjet janë shtuar destinacione të reja të fluturimeve.
“Në muajin janar të 2024-s janë shërbyer 287 mijë e 205 udhëtarë apo 21.9 për qind më shumë se në muajin janar të vitit 2023. Po ashtu janë realizuar 996 fluturime apo 23.3 për qind më shumë krahasuar me janarin e 2023-s”, ka deklaruar Gara.
Gara tregoi se nga 1 deri më 13 shkurt, 116 mijë e 201 qytetarë udhëtuan nëpërmjet aeroportit “Adem Jashari”, ku pak më shumë se gjysma e tyre lëvizën nga Kosova drejt vendeve të ndryshme.
E, profesori Hajrullahu theksoi se liberalizimi ndikoi edhe në uljen e trafikimit me emigrantë.
“Liberalizimi i vizave ua ka tharë burimin shumë grupeve kriminale që për dekada fakikisht janë marrë me kontrabandim të njerëzve, me keqbërje, etj”, ka thënë Hajrullahu.
Hajrullahu nuk sheh asnjë efekt negativ nga liberalizimi. Ai thotë se heqja e regjimit të vizave ua mundëson të rinjve e studentëve t’i shohin edhe kulturat e universitetet të tjera, teksa shton që ata që e kanë ndarë mendjen të ikin nga Kosova do ta bënin këtë edhe po të mos kishte liberalizim.