Arbëri

15 vjeçe në burg për “Kosovën Republikë!”

Frëngjishtja ia mundëson Abedin Hazrollajt komunikimin e drejtpërdrejtë me gazetaren nga Spanja, Ana Exposito Valle, pasditen e mesdhjetorit në Maguren multietnike të Lipjanit. Është hera e tretë që po takohen pas zhvillimit të intervistës së parë në pranverën e vitit 1999 në kampet e refugjatëve në Maqedoni të Veriut e vizitës së dytë në shtëpinë e Hazrollajve dy vjet më vonë kur ende ishte gjallë Sahit Hazrollaj, imami me të cilin reporterja e luftës do të komunikonte gjermanisht. Me jelekun e teshat kat ulur në batanije gri para shatorit në rreze dielli, Sahiti kishte rrokur vëmendjen e Valles.

Imami që mbijetoi kampin nazist të përqendrimit

“Kisha kënaqësinë të flisja me të për shkak se insistonte të flisnim pa përkthyes në gjermanishte, të cilën e kishte mësuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në kampin nazist të përqendrimit, ku kishte qenë i burgosur nuk e di sa vjet”, shkruan Valle në faqe 94 të librit “Mirupafshim në Kosovë”, shqipëruar nga Flaka Surroi e botuar nga Botimet KOHA në dhjetor të vitit të kaluar. Por gjatë vizitës së vitit 2001 të Valles për t’ia dorëzuar botimin e parë galicisht imamit në fshatin që dikur rronte mirë prej punës së burrave në minierë, do ta kishte pothuajse të pamundur të komunikonte, për shkak të shëndetit të rënduar që kishte prekur kujtesën e tij.

“Edhe ai për fat të keq ka qenë, gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë në kamp të përqendrimit në Gjermani tre vjet në kamp nazist”, kujton Abedin Hazrollaj.

I biri i tij, Edmondi, vazhdon ushtrimet me njomakët e klubit “Minatori”.

“Prej kampit na çuan në Francë e edhe atje, e kish tutën se serbët kanë me vra”, do t’i thoshte bashkëshortja e tij, Bahrija, shkruan në libër.

Lidhjen e Hazrollajve me Francën ia dëshmon Valles i biri i çiftit të ndjerë, Abedini, derisa gazetarja nga Spanja e viziton në palestrën e sporteve të fshatit, për të xhiruar dokumentarin “Mirupafshim në Kosovë!”, një bashkëpunim me pamje arkivore të Television de Galicia të Valles dhe ekipit televiziv të KTV-së, me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

“Na jemi kthy në nëntor të ’99-s. Çdo gjë ka qenë e shkrumbune, por kur kemi menduar se Gjurën më nuk e kemi, ia ka vlejtë, ia ka vlejtë”, i thotë Abedini Valles, duke iu referuar njërit prej serbëve famëkeq të Magures që i torturonte shqiptarët në postbllokun e fshatit edhe kur prindërit i çonin fëmijët e sëmurë te mjeku. Hazrollajt nuk kishin pranuar që të ndërtohej shtëpia e tyre pa ua kryer atyre që nuk kishin mundësi financiare.

Image
“Po, po, me futboll do ta bëjmë”, aprovon fjalët e Nexhad Bexhetit, trajneri i ri, Edmond Hazrollaj kur pyetet nga Valle nëse është i gatshëm të luftojë për Kosovën

UNMIK-u, “e zeza e madhe” e Kosovës

Valle e nxit Abedin Hazrollajn në këndin e fushës së palestrës, që t’ia kujtojë më gjerësisht persekutimin që kishte vuajtur familja e tij ndër breza për shkak të aktivitetit politik.

“Prej familjes sonë kemi qenë të dënuar unë me vëlla, edhe motra. Për shembull, më 1982 motra ka qenë në klasë të pestë të shkollës fillore, ka shkruar ‘Kosova Republikë’, i ka mbajtë pesëmbëdhjetë ditë burg në Burgun e Mitrovicës, edhe ka qenë e përjashtuar nga sistemi arsimor shkollor në atë kohë, e ka pasur të ndaluar”, tregon Abedin Hazrollaj, i cili vetë ishte dënuar me pesë vjet burgim për aktivitetin e tij politik të Pranverës së ’81-shit për Kosovën Republikë. Katër prej tyre do t’i vuante, përfshirë edhe në burgun famëkeq të Goli Otokut në Kroacinë e sotme.

Por Valle dëshiron të dijë se çfarë mendon aktivisti politik i konvertuar në trajner futbolli pasi Kosova shpalli Pavarësinë dhe jetësoi idealin e gjithhershëm për mëvetësi.

“...pas pavarësisë, a mendoni se Kosova është bërë demokraci e mirë, apo çfarë mendoni?” – ngulmon Valle.

“Personalisht nuk jam i kënaqur”, thekson Hazrollaj, duke përsëritur se Kosova humbi kohën më të madhe gjatë administrimit të saj nga Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). “Na i kemi humbur më shumë se tetë vjet me ta, edhe për fat të keq, rreth vetes kanë grumbullu shumë persona, të cilët janë kanë kundër demokracisë, kundër drejtësisë dhe kundër paqes”.

Fëmijët me fanella bardhegjelbër vazhdojnë të shkelmojnë topin nën urdhrat e Edmondit.

“Nuk më kujtohet asgjë nga lufta”

“A mund ta thërrasësh djalin?” – e lut Valle.

Ai ishte vetëm tre vjeç kur Valle do ta intervistonte gjysh Sahitin dhe baba Abedinin.

“Nuk më kujtohet asgjë nga lufta, por nuk më kujtoheni as ju...”, thotë Edi me t’u afruar te reporterja e luftës së Kosovës dhe Nexhad Bexheti, i cili e kishte shoqëruar edhe më 1999 dhe 2001 Vallen.

“...dhe kur më tha se do të vinit ju....”, ndalet pak Edi, duke ngritur shpatullat e gjera. “A thatë ju ‘çfarë dreqin po kërkon këtu?’” – e ndërpret Valle.

Qeshin të gjithë. Edit nuk i kujtohet as vizita e dyta e Valles dy vjet pas luftës. Ndihet në siklet që nuk i kujtohet asgjë nga lufta. “Ndoshta është mirë për mua”, shton pas pak. “Ndoshta është më mirë të harrosh”, ia kthen Valle.

Edi nuk e ka ndërmend të largohet nga Kosova. Është natyrë optimiste dhe thotë se gjërat po përmirësohen me kalimin e viteve. “Merremi me futboll, punojmë me futboll, jetojmë me futboll”, shton Edi trupmadh, gjithnjë fytyrëqeshur.

Abedin Hazrollaj thotë se është kënaqësi që edhe ai vetë i është kthyer pasionit të sportit dhe më nuk ka pse të merret me politikë. Valle insiston të marrë mendimin e Hazrollajt lidhur me trajtimin poshtërues që Spanja ia bëri Kosovës gjatë ndeshjes kualifikuese për Botërorin e sivjetmë të futbollit kur televizioni shtetëror e shkroi akronimin “kos” me shkronja të vogla, për shkak se Madridi zyrtar nuk e njeh ende shtetësinë e republikës më të re të Evropës. Ai thotë se më i rëndësishëm ishte respekti që treguan lojtarët spanjollë në fushë në ndeshjen që përfundoi me humbje të Kosovës, por me një gol spektakolar të Besar Halimit nga distanca.

Image
Familja Hazrollaj, më 1999 refugjate në Nimes të Francës

“Do të luftojmë me futboll”

“Më së shumti e shikoj futbollin spanjoll. Edhe reprizë kur të luhet, unë ndalem, pi çaj edhe i shikoj, sepse më pëlqejnë loja, taktika, edhe kultura sportive e tyre”, thekson Abedin Hazrollaj. “Mu për këtë e kisha lutë Spanjën prej tokës e n’qiell që të jetë shumë e arsyeshme ndaj neve se kurrë ‘s’kemi qenë armiq ndaj tyre”, sepse “Kosova e ka derën hapur për me ia dhanë një hapësirë për ambasadë Spanjës”, thotë ai, duke shtuar se dëshiron që futbollistët e tij një ditë të veshin fanellat e Realit apo të Barçës.

Djelmoshat e djersitur mundohen fort t’i kryejnë me sukses ushtrimet me konet e vendosur nga Edi.

“Çfarë mendon për luftën e gjyshit dhe babait tënd? A mendoni se do ta bënit të njëjtën?” – e pyet Valle Edin.

“Për vendin, afërmendsh se do ta bëja”, thotë ai.

“Po?” – pyet Valle.

“Për vendin tim afërmendsh se po”, thotë ai. “Shpresoj se luftë nuk kemi më, por nëse vjen, afërmendsh se po”.

“Ai do ta bëjë me futboll”, ndërhyn me qeshje Bexheti.

“Po”, e aprovon Edi. “Po, po, me futboll do ta bëjmë”.

“Ama nuk është njëjtë”, thotë Valle.

“Jo nuk është e njëjtë”, thotë Edi.

“Është shumë më e sigurt”, ia kthen Valle.

“Padyshim se po, po”, shton Edi.

Djelmoshat nuk u ndahen ushtrimeve edhe kur trajnerët flasin me mysafiren.