Arbëri

15 ushtarët të lënduar italianë të KFOR-it kthehen në shtëpi

Pesëmbëdhjetë ushtarë të lënduar italianë, 11 prej të cilëve morën lëndime gjatë protestave të dhunshme në Zveçan më 29 maj, janë kthyer në shtëpi.

KFOR-i ka njoftuar se pos 11 ushtarëve italianë, që u lënduan në sulmet e paprovokuara kundër njësiteve të KFOR-it në Zveçan, edhe tetë pjesëtarë tjerë të kontingjentit italian të Komandës Rajonale Perëndim të stacionuar në Pejë, janë referuar për kthim në shtëpi me lëndime më të vogla.

Të hënën janë kthyer në Itali 15 nga 19 ushtarët italianë të referuar. Ata janë dërguar në Spitalin ushtarak “Celio” për trajtim të mëtutjeshëm. Të tjerët do të rikuperohen në Selitë e KFOR-it.

“Ushtarët e regjimentit të 9-të u lënduan derisa po kryenin detyrat, duke ndërhyrë mes palëve, në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia, ka takuar ushtarët italianë në aeroportin e Prishtinës, duke u uruar shërim të shpejtë e të plotë”, thuhet në njoftim të KFOR-it. “Misioni i NATO-s, KFOR është plotësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit që buron nga OKB-ja dhe në sigurimin e një kornize të nevojshme të sigurisë për dialogun e drejtuar të BE-ja, që të ecet përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”.