Arbëri

15 komuna do të kenë më pak asamblistë, 2 më shumë e 21 të tjera njëjtë

Nga 38 komuna, 15 prej tyre do të pësojnë ulje të numrit të anëtarëve në kuvendet komunale pas zgjedhjeve lokale të këtij viti. Komunat që kanë humbur asamblistët thonë se kjo do të zvogëlojë mundësinë e përfshirjes së individëve të rinj në politikën lokale, e ato që do të kenë më shumë asamblistë janë vetëm dy: Fushë-Kosova e Shtërpca

Në zgjedhjet lokale të sivjetme, numri i anëtarëve të kuvendeve komunale në Kosovë, do të pësojë ndryshime.

Nga 38 komuna, në 15 prej tyre do të ketë më pak asamblistë si pasojë e rënies së popullsisë në to, bazuar në regjistrimin e popullsisë, thuhet në një raport të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale.

Një prej komunave që do të preket është ajo e Vushtrrisë. Ajo do të ketë 31 anëtarë, nga 35 sa i ka aktualisht.

“Zvogëlimi i numrit të banorëve dhe rrjedhimisht zvogëlimi i anëtarëve të kuvendit komunal mund të ndikojë në disa aspekte në funksionimin e komunës. Kjo do të thotë se kemi më pak hapësira për përfaqësuesit politikë. Si rrjedhojë, mund të kufizojë mundësinë e përfshirjes së individëve të rinj në politikën lokale”, ka thënë Melihate Basholli, kryesuese e kuvendit komunal në Vushtrri.

Besnik Muçaj, menaxher i programeve në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale, është shprehur se ndryshimet janë të parapara me Ligjin për Qeverisje Lokale. 

“Ashtu siç e përcakton ligji për vetëqeverisje lokale shpjegon se numri i anëtarëve të kuvendit është i përcaktuar varësisht nga numri i qytetarëve në komunë. E vërteta është që përtej ndikimit që ka në numra të këshilltarëve, kjo do të ndikojë edhe në paga, sepse referuar ligjit të pagave, edhe ai i bën llogaritë në bazë të numrit të banorëve”, ka thënë Muçaj.

Teksa 15 komuna do të kenë rënie të përfaqësimit lokal, në dy të tjera, Fushë-Kosovë e Shtërpcë, do të rritet numri i asamblistëve.

Besnik Osmani, kryesues i kuvendit në Fushë-Kosovë, ka thënë se kjo komunë në zgjedhjet lokale të këtij viti pritet t’i ketë katër asamblistë më shumë.

“Në pajtim edhe me ligjin, nga 27 në 31 do të jetë numri i përfaqësuesve të qytetarëve në mandatin e ardhshëm për zgjedhjet lokale, kjo do të ketë një ndikim pozitiv, sepse vetë prezenca e një numri më të madh në kuvendin komunal, në institucionin ku vendosen politikat lokale dhe ku bëhet legjislacioni lokal dhe ku vendosen prioritetet e zhvillimit të komunës”, ka deklaruar Osmani.

E 21 komuna të tjera, përfshirë kryeqytetin do të vazhdojnë të kenë numër të njëjtë të asamblistëve. Kuvendi komunal i Prishtinës i ka 51 anëtarë. 

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Agjencia e Statistikave e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, publikoi rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit. Bazuar në to, Kosova ka 1,602,515 banorë.