Në botë, por edhe në Kosovë, masat e jashtëzakonshme për parandalimin e koronavirusit, sidomos vetizolimi, kanë ndikuar që të rritet edhe numri i rasteve të dhunës në familje.
Udhëheqëset e strehimoreve kanë bërë thirrje te të gjitha gratë që ta raportojnë dhunën edhe përkundër gjendjes në të cilën ndodhet vendi.
Në strehimoren në Gjakovë aktualisht janë 15 persona që kanë përjetuar dhunë në familje, raporton KOHA.
Erblina Dinarama ka thënë se përkundër që strehimorja që ajo drejton ka kapacitet vetëm për 19 persona, është e gatshme që t’u bëjë zgjidhje atyre që kanë nevojë për ndihmë.
Ajo ka shtuar se banorët aty janë mirë me shëndet.
Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës i ka propozuar Qeverisë disa masa për adresimin e COVID-19 nga perspektiva gjinore.
Ndër propozimet janë që t’u jepet përparësi shërbimeve për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje në kohë të pandemisë COVID-19, përfshirë këtu financimin e qëndrueshëm të OJQ-ve, strehimoreve dhe qendrave ditore që janë në shërbim të viktimave të dhunës me baza gjinore.
Po ashtu kërkojnë që të sigurohet që këto qendra të kenë mjaftueshëm mjete të nevojshme mjekësore, higjienike dhe sanitare.
“Të hartohet një protokoll i procedurave që duhen ndjekur për trajtimin e grave të cilat nuk mund të pranohen në qendra të tilla, si pasojë e infektimit, duke përfshirë karantinim të sigurt dhe qasje në testim. Të sigurohet trajtim psiko-social i viktimave të dhunës me baza gjinore, qoftë edhe në mënyrë virtuale”, kërkohet nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës.
Në Kosovë, vetëm gjatë muajit shkurt, janë raportuar 149 raste të dhunës në familje.
Në Francë është raportuar se që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, për 32% është rritur numri i rasteve të dhunës në familje.