Ndonëse konkurset dhe proceset e vlerësimit janë kryer për 14 pozita sekretarësh të përgjithshëm të ministrive dhe drejtorësh ekzekutivë nëpër agjenci, prej muajsh emërimet nuk kanë ndodhur. Kjo për shkak që në një numër rastesh, listimi i kandidatëve që është bërë nga vendorët, nuk është i njëjtë me atë të ndërkombëtarëve. Për pasojë, pozitat e këtilla më të larta në shërbimin civil, mbahen me ushtrues detyre
Prej shumë muajsh, kanë mbetur vakante 14 pozita të larta drejtuese në nivel të ministrive dhe të agjencive.
Ndonëse konkurset dhe proceset e vlerësimit janë kryer për një numër të madh pozitash, emërimet nuk kanë ndodhur shkaku që listimi i kandidatëve që është bërë nga vendorët, nuk është i njëjtë me atë të ndërkombëtarëve.
Procedura e brendshme e rekrutimit nuk është shoqëruar ende me emërim sekretarësh në Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe as me drejtorë ekzekutivë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, Agjencinë e Regjistrimit Civil, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Agjencinë e Regjistrimit te Bizneseve.
Në Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë treguan se, në mungesë kandidatësh nga brenda që përmbushin kriteret, për gjashtë pozita të tjera janë kërkuar kandidatë jashtë shërbimit civil.
“MPB-ja ka bërë shpallje të hapura për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e konkursit për këto pozita: Drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike; Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës; Ministrinë e Mbrojtjes; Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Ministrinë e Drejtësisë; si dhe për pozitën drejtor i përgjithshëm në Shërbimin Korrektues”, ka thënë Shehrie Leci-Rudari nga MPB.
KOHA ka raportuar se si kandidatë më të suksesshëm për Sekretar të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, vendorët dhe ndërkombëtarët kanë vlerësuar persona të ndryshëm.
Ndërkaq, ndonëse vendorët kanë poentuar ushtruesin aktual të detyrës si kandidatin më të suksesshëm për Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërkombëtarët kanë konsideruar se ai nuk përmbush pragun minimal prej 70 për qind të poenëve.
Në Ministri thanë se Qeveria e ka autoritetin e plotë për ta bërë përzgjedhjen.
“Qeveria merr përsipër vlerësimet e të dy komisioneve dhe krahason vlerësimet dhe zgjedh në bazë të kompetencave ligjore, në varësi nga pozita për të cilën zhvillohet procesi i rekrutimit”, ka thënë Leci-Rudari.
Në një marrëveshje që kryeministri Albin Kurti ka firmosur me Ambasadën Britanike, është shprehur zotimi që Qeveria të zgjedhë kandidatët të ranguar më së larti nga lista e ngushtë e përgatitur nga komisioni përkatës, duke marrë parasysh rekomandimet e britanikëve.