Vendimi për masat e sigurisë është marrë të dielën nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (GJKKO) në Tiranë. Tre të tjerë kanë marrë masën e sigurisë “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Të premten, në një operacion të përbashkët Kosovë – Shqipëri, u arrestuan mbi 50 policë kufitarë në të dyja anët e kufirit, me dyshimin për kryerje të veprave të ndryshme të krimit e korrupsionit
Tridhjetë policë e drejtues të pikëkalimit kufitar Morin-Vërmicë , të arrestuar të premten në Kukës si pjesë e një rrjeti të gjerë të akuzuar për korrupsion në Shqipëri dhe Kosovë, kanë dalë të dielën përpara Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krim të Organizuar (GJKKO) në Tiranë për t’u njohur me masat e sigurisë.
Ata janë paraqitur në Gjykatën e Posaçme, nën masa të forta sigurie, ndërkohë që mediat nuk janë lejuar të jenë të pranishme.
Mësohet se mbrojtja ka kërkuar shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Kukësit për caktimin e masave të sigurisë. Për 15 punonjës policie të pikëkalimit kufitar Morin-Vermicë, përfshirë edhe shefin e stacionit të kësaj pike, GJKKO-ja ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për masë sigurimi personal “arrest në burg”. 14 janë arrestuar, kurse njëri është shpallur në kërkim policor.
Për 12 efektivë policorë është marrë masa e sigurimit “arrest shtëpiak”, ndërsa tre punonjës, përfshirë drejtorin e Kufirit dhe Migracionit për Kukësin, Fran Kaçorri, si masë sigurimi kanë marrë “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore. Falë përgjimeve të Prokurorisë është zbardhur e gjithë skema e korrupsionit, e cila ishte shtrirë në të dyja anët e kufirit, në Doganën e Morinit në Shqipëri dhe atë të Vërmicës në Kosovë.
Në bisedat e përgjuara, efektivët e kufirit përmendin herë pas here shumat e parave të përfituara për kontrabandimin e mallrave, si dhe favorizimin e trafikut të automjeteve. Në disa raste ata u kërkonin qytetarëve të paguanin. Përgjimet e Prokurorisë kanë zbuluar se si policët u nxirrnin lloj-lloj pengesash drejtuesve të veturave nga Kosova në këmbim të ryshfetit. Në njërin prej këtyre përgjimeve, më 8 shkurt 2022, në orën 15:26, rezulton se në kabinën nr. 4 në pikën e kalimit kufitar në Kukës, ka qenë duke kryer shërbim punonjësi i policisë Fatri Braha. Në sportel janë paraqitur shtetas kosovarë, të cilëve përveç dokumenteve të identifikimit, Braha iu kërkon edhe autorizim për veturën, si dhe kartonët e vaksinës anti-COVID. Gjatë komunikimit me një shtetas, që nuk i kishte kartonin e vaksinës COVID-19 e as autorizim për veturë, i kërkohet dhënia e ryshfetit.
Në një rast tjetër, policët janë përgjuar teksa flasin për një automjet pa dokumente, me të cilin pronari nga Kosova kërkonte të kalonte kufirin. Këtij shtetasi policët i thonë “mos hajde pa 250 euro”.
Pamjet filmike tregojnë edhe mënyrën sesi grumbulloheshin dhe ndaheshin paratë ndërmjet punonjësve të policisë. Njëra nga efektivet shihet duke numëruar ryshfetin që ka përftuar nga qytetarët duke shpërdoruar detyrën. Nga hetimi ka rezultuar se policët u merrnin qytetarëve minimalisht nga 10 deri në 100 euro për vepra të ndryshme penale, si kontrabandë, sende të tjera të kundërligjshme e të tjera, të cilat i ndanin më pas me njëri-tjetrin në fund të ndërrimit.
Fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8000 euro në ditë. Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptuese të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS.
Burimet e Prokurorisë bëjnë me dije se pak ditë përpara finalizimit të operacionit për arrestimin e tyre, policët kishin pikasur njërën nga kamerat e përgjimit të vendosur pranë kondicionerit, të cilën e kishin thyer. Një hetim i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës u përmbyll të premten me arrestimin e mbi 50 oficerëve të policisë në të dyja anët e kufirit, pikërisht në pikëkalimin e përbashkët Morin-Vërmicë.
Në një njoftim për shtyp, struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) në Shqipëri njoftoi se ishin marrë masa arresti për 32 oficerë të Policisë Kufitare në Drejtorinë e Policisë në Kukës, të cilët akuzohen për “312 episode të veprimeve korruptive”.
Sipas njoftimit të SPAK-ut, gjatë hetimeve janë verifikuar “raste të shumta korruptuese të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptarë dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”.
Të premten SPAK-u njoftoi se hetimet për funksionarët e Policisë Kufitare, përfshirë drejtuesit e tyre, kanë filluar në nëntor të vitit 2020 në bazë të një kallëzimi nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, i riemërtuar së fundmi si Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Doganat dhe Policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës janë bashkuar në një pikë të përbashkët në Morin të Kukësit më 27 dhjetor 2018.
Aktualisht pika të përbashkëta doganore dhe të kalimit kufitar janë edhe në Qafë-Prush të Hasit, në Qafë-Morinë të Tropojës dhe Shishtavec-Krushevë, në rajonin e Dragashit.