Sindikata e Policisë së Kosovës do të takohet të mërkurën me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për t’ia dorëzuar 14 kërkesat e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese dhe njësive tjera, rreth përmirësimit të kushteve të punës, ka bërë të ditur Imer Zeqiri, kryetar i sindikatës.
Ai ka thënë se kërkesat janë paraqitur edhe në protestën e 9 dhjetorit. Sipas tij, do të diskutohen edhe tema të tjera për kushtet e Policisë së Kosovës.
Kjo njësi ka protestuar dy herë muajve të fundit, qëkur Qeveria propozoi që shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.
14 kërkesat e Policisë:
1. Përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.
2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri.
3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.
4. Ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së.
5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.
6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.
7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.
8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë.
9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.
10. Shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit.
11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor.
12. Të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.
13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë.
14. Përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si për shembull: shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.