Më 9 shtator do të zhvillohet shqyrtimi i ardhshëm gjyqësor ndaj S.O., të akuzuarit për vrasjen e 11-vjeçarit Kujtim Veseli.
E derisa gjykimi ndaj tij vazhdon, avokatja Rina Kika, që përfaqëson familjen Veseli, bashkë me aktivistin Gazmend Qyqalla dorëzuan peticionin me mbi 1.300 nënshkrime.
Avokatja Kika ka sqaruar kërkesën që kanë bërë për Prokurorinë lidhur me të përfshirët në këtë rast, raporton KOHA.
“Ne kemi parashtruar kërkesë për zgjerim të aktakuzës tek prokurorja e ngarkuar me rastin e akuzës kundër S.O. Kjo pasi që aktakuza e parashtruar kundër tij përfshin vetëm veprimet e tij kriminale të ndërmarra më 11 korrik 2019, por nuk e përfshin edhe dhunimin e Kujtimit në janar të vitit 2019, për të cilin ekzistojnë prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar se ai e ka kryer këtë vepër penale”, ka thënë ajo.
Aktivisti Qyqalla po ashtu deklaroi se janë ankuar tek Avokati i Popullit, sepse KPK-ja nuk i ka mundësuar qasje në raportin hetimor për procedurë disiplinore ndaj prokurorit Ruhan Salihu, ndaj të cilit ishin gjetur shkelje disiplinore në rastin e Kujtim Veselit.
Kujtim Veseli, 11-vjeçari nga komuniteti rom, ishte gjetur i vdekur më 11 korrik të vitit të kaluar poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në Fushë- Kosovë. Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 prill të këtij viti kishte ngritur aktakuzë ndaj S.O, për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “dhunim”. Sipas aktakuzës, i akuzuari fillimisht e kishte dhunuar e pastaj vrarë të miturin.
S.O e kishte pranuar në gjykatë vetëm veprën e dhunimit, por jo edhe të vrasjes.