Qytetarët, në mënyrë ilegale, po nxjerrin thëngjill, në Fshatin Zhilivodë të Komunës së Vushtrrisë, duke e shndërruar këtë të fundit në minierë thëngjilli.
Kohavisioni i ka identifikuar tri zona të Zhilivodës, në të cilat qytetarët kanë gërryer tokën jashtëligjshëm.
Pranë pothuajse secilës zonë të gërmimeve vërehen ekskavatorë, kamionë e traktorë për transport.
E, siç shihet, thëngjilli nxirret nga thellësia, lihet të thahet e, më pas, vendoset në thasë për t’u shitur.
Edhe pse toka është private, marrja e pasurive nëntokësore pa leje është e ndaluar me Ligjin për Miniera dhe Minerale.
Në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale tregojnë se vazhdimisht janë kërcënuar nga këta persona.
Madje, drejtori i komisionit, Ramiz Krasniqi, tregon se ishin penguar edhe në marrjen e të dhënave për t’i paraqitur në gjykatë.
Krasniqi tregon se i kanë dërguar në gjykatë 7 raste të organizimit për tregti ilegale të këtij minerali.
Si rrjedhojë, drejtori Krasniqi thotë se e kanë kërkuar përkrahjen e Policisë së Kosovës.
E, derisa Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka ndaluar dhënien e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, Ministria e Ambientit po kërkon nga
Qeveria ndalimin e përdorimit të thëngjillit nëpër institucionet publike të nivelit qendror dhe atij lokal.
Ndotja nga thëngjilli ilegal, sipas Ministrisë së Mjedisit, është më alarmante sesa ndotja nga thëngjilli që iu është dhënë punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Meqë gërmimet bëhen gjatë natës, 17 persona, që nga viti 2000, kanë vdekur si pasojë e rënies në pusetë.
Përveç zonave ilegale në Vushtrri, të tilla i gjen edhe në Obiliq, Fushë Kosovë dhe Skënderaj.