Arbëri

123 kosovarë po presin për kthim nga SHBA-ja, ankohen për çmime të larta të biletave

Mbi 100 shtetas të Kosovës po presin të kthehen nga SHBA-ja në Kosovë, të cilët kanë mbetur atje si pasojë e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Por ata që kanë bërë kërkesë për kthim në vend janë përballur me çmime astronomike të biletave derisa shteti nuk u ka ofruar asnjë ndihmë në këtë rast.

Një shtetas i Kosovës në kushte anonimiteti i ka rrëfyer KOHËS se ai që nga 28 marsi po pret kthimin e tij.

Gati një muaj pasi ka bërë kërkesë për kthim, ai më 23 prill ka marrë përgjigje se i është miratuar ajo, derisa ka thënë se askush nuk është interesuar nëse ata kanë vendqëndrim të sigurt atje.

Në njoftimin që i është dërguar atij nga Ambasada e Kosovës në Washington thuhet se të gjitha shpenzimet e kthimit qytetarët duhet t’i paguajnë vetë.

E derisa ky qytetar për dy bileta për shkuarje dhe ardhje i kishte paguar 950 euro, tanimë vetëm për kthim në Kosovë atij nga kompania “Eurokoha” i ka arritur pagesa prej 2.700 eurosh.

Gjithashtu, fluturimi i paraparë për 1 maj është shtyrë për 8 të këtij muaji.

Ndërsa në përgjigje të kompanisë Eurokoha thuhet se ata nuk janë angazhuar nga asnjë institucion i Kosovës për t’i kthyer qytetarët e mbetur në SHBA.

Aty sqarohen vetëm çmimet e përgjithshme që kjo kompani ofron në bashkëpunim me agjenci tjera të udhëtimeve, e që nisin nga 1.350 dhe deri më tani 79 persona janë lajmëruar për kthim.

Derisa Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se janë 123 persona që kanë kërkuar të kthehen, të cilët kanë ngelur në SHBA pas mbylljes së kufijve.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë thënë se fluturimi është aprovuar dhe se po bëhen përpjekjet maksimale që sa më shpejt të bëhet kthimi. Por, MPJ-ja ende është në proces të gjetjes së një kompanie ajrore për të realizuar fluturimin me vetëm 123 udhëtarë.

Janë 123 persona që kanë kërkuar të kthehen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, të cilët kanë ngecur atje si pasojë e masave të marra për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19. Fluturimi është aprovuar, por ende nuk është vendosur dita e nisjes. Jemi duke u përpjekur që kthimi i shtetasve kosovarë nga Shtetet e Bashkuara të bëhet sa më shpejt, më së largu në fillim të muajit maj. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka regjistruar kërkesat e të gjithëve, të cilat më pas janë dërguar tek ministritë relevante për aprovim. Më pas është njoftuar Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington DC, dhe tani procesi është në fazën e gjetjes së një kompanie ajrore që do të pranojë të realizojë një fluturim nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë, me vetëm 123 udhëtarë”, ka thënë Arben Rugova , zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

E ndonëse personave të cilët pritet të kthehen në Kosovë u kanë shkuar njoftime nga kompania “Eurokoha” për biletat, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës nuk kanë treguar se cila është kompania e cila do të bëjë kthimin e shtetasve të Kosovës.

Ata kanë thënë se vetëm po e lehtësojnë këtë proces, por që kompanitë janë ato që i caktojnë çmimet.

“Ashtu siç jeni të njoftuar, me vendim të Qeverisë të gjitha fluturimet e rregullta komerciale janë të anuluara. Andaj, për kthimin e qytetarëve po fasilitojmë fluturime të veçanta. Zakonisht kontaktohen ato kompani që kanë fluturime nga vendet e caktuara, p.sh. nga Gjermania qytetarët janë kthyer me ‘Euro Wings” (Lufthansa Group), nga Turqia me ‘Turkish Airlines’, kurse nga Zvicra me ‘Chair Airlines’. Kompanitë caktojnë çmimet dhe kontaktojnë me qytetarët për biletat, ne nuk kemi asnjë interferim në atë pjesë”, ka thënë Alban Zogaj, shef i kabinetit në Ministri të Infrastrukturës.

Në karantinën e Qendrës së Studentëve momentalisht ndodhen edhe 167 persona, derisa menaxheri i saj, Valdet Hashani, thotë se po përgatiten për grupin e personave që do të arrijë nga SHBA-ja.

Sipas Hashanit, janë mbi 2000 persona të cilët kanë bërë kërkesë dhe presin të kthehen në Kosovë.

Ndërsa nga këtu çdo ditë dalin persona, të cilët rezultojnë negativë në testimet e IKSHPK-së.