Arbëri

122 amendamente për Projektbuxhetin e 2025-s. Shumë propozime të opozitës nuk kaluan në komision

Komisioni për Buxhet ka prezantuar 122 amendamente të propozuara për Projektbuxhetin për vitin 2025. Disa prej tyre të propozuara nga opozita nuk u mbështetën nga anëtarët e këtij komisioni.

122 amendamente të propozuara për Projektbuxhetin për vitin 2025 janë paraqitur në Komisionin për Buxhet.

Kjo trupë e Kuvendit nuk i mbështeti disa prej tyre, të propozuara nga ligjvënës opozitarë. Në mesin e tyre është edhe amendamenti për ta rritur vlerën e koeficientit të pagave.

“Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka propozuar që të rritet kategoria e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” për 50 milionë euro, në mënyrë që të zbatohet rritja e koeficientit në vlerë 155 euro për punonjësit e sektorit publik nga data 1 janar i vitit 2025”, ka thënë kryetari i Komisionit, Armend Muja.

“Ne këtë çështje e kemi trajtuar, kur e kemi miratuar ligjin për ndarje buxhetore në Qeveri, sepse kemi vendosur që të shtojmë një njësi koeficienti për gjitha pozitat gjë që nënkupton që rritja të jetë uniforme pra 110 euro”, u shpreh ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ministri i Financave propozoi që me ligj t’u mundësohet komunave t’i evitojnë disa shpenzime.

“Të shtohet një fjali në nenin 34 tek neni 5, të mundësohet disa organizatave buxhetore sidomos komunave që t’i evitojnë disa shpenzime shtesë, sidomos kur kemi rastin e përmbarimit”, ka thënë Murati.

E deputetë opozitarë kritikuan Qeverinë për shqyrtimin e buxhetit nëpërmjet procedurës së përshpejtuar.

“Procedimi kaq i shpejtë i buxhetit për vitin e ardhshëm është qesharake dhe tragjike. Është mirë të bëjmë shembull që të gjitha propozimet që janë në të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Mërgim Lushtaku i PDK-së.

“Ky buxhet është i Vetëvendosjes, po nisem nga ajo që është nisur në seancë, kam menduar që do t’i jepni hapësirë organizatave buxhetore, për t’u marrë parasysh kërkesat, por në mënyrë diktatoriale nuk i keni dëgjuar”, u shpreh Pal Lekaj i AAK-së. 

Të hënën, në shqyrtim të parë, është votuar Projektbuxheti për vitin 2025, ndërsa për datën 21 nëntor është planifikuar të votohet në lexim të dytë. Ai parasheh që gjatë vitit të ardhshëm të bëhen shpenzime në vlerë 3.6 miliardë euro.