Fatos Dida, bashkë me vëllanë e tij, kanë 17 vjet që kanë nisur punën në fabrikën për prodhimin e kabllove dhe i përçuesve elektrikë të tensionit të ulët.
Për prodhimin e këtij produkti, ai ka angazhuar 17 punëtorë.
Fatosi para pak kohësh kishte vizituar Turqinë, ku kishte parë një numër të madh fabrikash të prodhimit të profileve të njëjta, raporton KTV.
Ai sheh rrezik të madh për të ardhmen e fabrikës së tij, nëse Kosova miraton Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë.
Për këtë i ka bërë thirrje presidentit të vendit që të mos e aprovojë këtë marrëveshje, e cila, sipas tij, është shumë më e rrezikshme se MSA-ja apo CEFTA.
Dida është në pritje të pakos së dytë fiskale, nga e cila po shpreson se do të përfitojë disa lirime që mund të rrisin konkurrencën e produkteve të tij ndaj dy fabrikave, prej ku kryesisht furnizohet Kosova, Maqedonia dhe Serbi.
Të njëjtin kundërshtim po e bën ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Ajo arriti të ketë mirëkuptimin e ish-presidentes Atifete Jahjaga, që të mos e nënshkruajë këtë marrëveshje, por nuk ka dhënë detaje nëse të njëjtën e ka gjetur edhe te presidenti Thaçi.
Nga pala kosovare, marrëveshjen e kishte nënshkruar ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe e njëjta ishte futur në fuqi nga pala turke në vitin 2013.
Bazuar në këtë marrëveshje, mbi 5 mijë produkte turke do të ishin të liruara, përderisa nga Kosova do të ishin vetëm 800.
Sipas disa përllogaritjeve, nga kjo marrëveshje Kosova do të humbiste deri në 20 milionë euro brenda një viti.
Kohavisioni ka bërë kërkesë në presidencë rreth të ardhmes së kësaj marrëveshjeje, por zyrtarët përgjegjës nuk janë përgjigjur pavarësisht premtimit se do ta bëjnë një gjë të tillë.
Po ashtu, KTV-ja merr vesh se pala turke ka rritur presionet drejt Kosovës, në këtë rast presidencës që të nënshkruajë këtë marrëveshje.
Madje, e njëjta temë është pjesë e çdo takimi mes dy palëve.
Dhe, ky presion duket të ketë një arsye të fortë nëse bazohemi në të dhënat statistikore.
Derisa në shkurt të vitit të kaluar kur Kosova nuk kishte ende në fuqi MSA-në, nga Turqia janë importuar mallra në rreth 19 milionë euro, ndërsa një vetëm një vit më vonë vlera e importeve ka rënë në 16.5 milionë euro.
Të vetmit që po e mbështesin këtë marrëveshje janë tregtarët, të cilët nëse hyn marrëveshje do të sjellin prodhime nga ky vend pa paguar doganë.