“Kufijtë nuk lëvizin me fjalë”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj derisa po qëndron për vizitë zyrtare në Vlorë.
Haradinaj ka ripërsëritur se kufijtë ndryshohen me luftë. “Realiteti i sotëm është rezultat i epilogëve të këtyre luftërave, hapja e temës së kufijve është e papranueshme për mua”, ka thënë më tej Haradinaj, raporton KTV.
“Beogradi bën një retorikë, Prishtina një tjetër dhe kufijtë nuk lëvizin me fjalë”, tha Haradinaj, duke shtuar se duhet larguar Dogana mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërkaq, Haradinaj tha se në Vlorë shkoi me porosinë e dashurisë së ndërsjellë shqiptare, por edhe me porosinë e lidhjeve më të forta ndërshqiptare.
Ai tha po ashtu se ndihet i nderuar që po e viziton, siç e quajti ai, vëllanë e tij, kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, por që është edhe në zemrën e shqiptarëve, sepse “Vlora është zemra jonë kudo që jemi”, duke siguruar se si Kosovë do të punohet që këto lidhje të forcohen edhe më tej.
Haradinaj, duke falënderuar nikoqirët për pritjen që i është bërë, tha se do të ndihej mirë që shqiptarët dhe diaspora t’i zgjidhnin këto anë për pushime verore, duke u bërë thirrje që sa më shumë ta promovojnë turizmin shqiptar.
Kreu i ekzekutivit kosovar kujtoi se është shpallur qytetar nderi dikur nga Vlora, në kohëra të vështira të jetës së tij dhe në shenjë nderimi i dhuroi kryetarit të Bashkisë Hartën e Kosovës, dekoratë të cilën e quajti të çmuar.
Siç thotë komunikata e Qeverisë, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli u shpreh krenar që sot ka në vizitë një ndër personalitetet më të mëdha të shqiptarëve, siç është kryeministri i Republikës së Kosovës.
“Është privilegj që jeni në zyrën time, që vizitoni Vlorën dhe që po i tregoni të gjithëve, me prezencën tuaj, se sa halle të përbashkëta dhe se si mund t’i zgjidhim duke komunikuar së bashku ato”, tha kryetari Leli.
Komunikata më tej thekson se Leli, “duke vlerësuar çdo përpjekje që ka bërë në jetën e tij dhe për të mirën e gjithë shqiptarëve, i dhuroi kryeministrit Haradinaj portretin e Ismail Qemalit, atë që në krye të të gjithave, na lidh me emrin shqiptar”.
Agjenda zyrtare e Kryeministrit Haradinaj në Vlorë do të vazhdojë edhe me vizitën në Monumentin e Pavarësisë, Muzeun Historik, Varrin e Ismail Qemalit dhe Muzeun e Pavarësisë.