Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik.
Në një konferencë për media bashkë me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, ai ka thënë se gjatë këtij viti 104 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut dhe ka thënë se kjo e bën të domosdoshëm ashpërsimin.
Ai ka folur edhe për aksidentin e së shtunës në Prizren, ku tre persona humbën jetën në një aksident gjatë një gare ilegale automobilistike.
Sveçla ka thënë se grupit që kishte organizuar atë garë, dy herë nga Policia i ishte parandaluar organizimi i garave të tilla.
“Vitin që po e mbyllim Policia ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme abutomobilistike. Për rastin e së shtunës, Policia e Kosovës të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla ... siç tashmë është bërë ditur, nga Policia e Kosovës të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie e rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patentë-shoferi për tejkalim shpejtësie”, ka theksuar Sveçla.
Ai ka thënë se edhe kanë nisur edhe hetim disiplinor për përgjegjësi menaxheriale.
“Tashmë është iniciuar hetim disiplinor për përgjegjësi menaxheriale, janë lëvizur dy komandantë të njësive të trafikut, dhe është krijuar plan i ri operativ për trafikun rrugor", ka deklaruar Sveçla.
Ndërkohë ka folur edhe për statistikat e aksidenteve me fatalitet.
“Duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe humbjen e jetëve në komunikacion, konsiderojmë ashpërsim të masave dhe realizim të tyre pa asnjë kompromis. Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni, duke përfshirë edhe këmbësorë”, ka shtuar Sveçla.
Ndërsa Hoxha ka thënë se 44 për qind e të vdekurve në aksidente kanë qenë shoferë, 28 për qind këmbësorë dhe 27 për qind pasagjerë.
Ai ka folur edhe për shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve.
“Shkaktarët me të shpeshtë sipas analizave të policisë janë mosmbajtja e distancës së sigurisë mes mjeteve, manipulimi i pasigurtë me automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, kyçja e pasigurtë në rrugë, radhitja e parregullt apo ndërrimi i shiritave e kthimrrotullimi-lëvizja prapa”, ka deklaruar Hoxha.