14:10 - Presidenti serb Aleksandar Vuçiq konfirmoi sot se e ka marrë ftesën për të vazhduar dialogun me Kosovën dhe se do të takohet me presidentin Hashim Thaçin të dielën.
“Kam marrë ftesën zyrtare dhe delegacioni serb do të shkojë patjetër. Delegacioni do të jetë në Bruksel që nga e premtja në një takim jo aq atraktiv për mediat, ndërsa të dielën do të takohem me Hashim Thaçin”, u tha Vuçiqi gazetarëve.
Ai deklaroi se nuk është me rëndësi se sa do të zgjasin takimet, sepse, sipas tij, kjo është çështje teknike.
Precizoi se Serbia nuk ka asnjë parakusht.
“Serbia asnjëherë nuk ka vënë kushte për dialog. Gjithmonë kemi qenë të gatshëm për dialog, i cili do të nis të premten. Do të shohim se a do të na bashkëngjitet ai edhe të hënën, pasi që ka ekzistuar një ide e tillë, sepse të hënën mbahet konferenca ndërqeveritare”, tha ai.
Tha se nuk është as optimist e as pesimist, dhe se detyrë e delegacionit shtetëror është që t’i mbrojë interesat e popullit.
Ndërkaq, në lidhje me kërkesën e delegacionit të Kosovës që Serbia të zbatojë marrëveshjen e energjisë, e arritur më 2013, Vuçiq tha se “duhet të lexoni marrëveshjen në tërësi”.
“Është marrëveshje e përgjithshme. Madje edhe për të nevojitet zbatimi i Asociacionit të komunave serbe. I lus të lexojnë ato që i kanë nënshkruar e të mos flasin budallallëqe”, tha Vuçiq.
Ai thotë se nuk ka bisedime për shkëmbim territoresh siç ka thënë këshilltari i presidentit Thaçi, Rexhep Hoti, i cili “do të donte të shkëmbente Sanxhakun dhe jugun e Serbisë me veri të Kosovës”. Madje Vuçiqi ironizoi me këtë deklaratë duke thënë se “a dëshiron Prishtina që [Victor] Orban t’ua japë edhe Kecskemetin” (qytet ky në pjesën qendrore të Hungarisë).
“A kanë menduar pak për Vojvodinën, Beogradin e Shumadinë, kuptohet. Ta pyesim Orbanin nëse do t’ua japë edhe Kecskemetin? Çfarë t’u them për këtë, natyrisht se po bëj shaka”, tha Vuçiq.
Presidenca e konfirmon ftesën e Mogherinit për takim në Bruksel
13:30 - Më herët gjatë ditës, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, konfirmoi se më 24 qershor do të zhvillohet takimi i radhës në nivel presidencial mes Kosovës dhe Serbisë.
Të njëjtën gjë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” edhe Bekim Çollaku, Shef i Stafit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Po, e konfirmoj se Presidenti i Republikës së Kosovës ka pranuar ftesën zyrtare nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini e cila është edhe ndërmjetësuese në emër të BE-së për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Çollaku.
Ai ka theksuar po ashtu se ky takim i radhës është i pari në atë që ai e ka quajtur “fazë përfundimtare të dialogut”.
“Takimi i parë i kësaj faze përfundimtare në nivelin më të lartë politik, respektivisht ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, do të mbahet me datë 24 qershor në Bruksel”, ka deklaruar Çollaku.
E konfirmon BE-ja, takimi Thaçi-Vuçiq më 24 qershor
Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së, dhe ndërmjetëse në dialogun mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, ka bërë me dije se takimi i radhës do të zhvillohet më 24 qershor të këtij viti.
Kosova dhe Serbia do të jenë të përfaqësuar nga presidentët, Hashim Thaçi, gjegjësisht Aleksandar Vuçiq.
“Përfaqësuesja e Lartë dhe Presidentët do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e normalizimit gjithëpërfshirës të Dialogut, të marrin në konsideratë marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme sikurse edhe do të diskutojnë hapat e ardhshëm duke pasur parasysh periudhën intensive përpara”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Mogherinit.