Arbëri

100 gjoba iu shqiptuan të hënën kundërvajtësve në rrugën “Xhorxh Bush”

Naim Latifi, udhëheqës i njësisë së komunikacionit për kryeqytet, ka deklaruar se të hënën janë shqiptuar 100 gjoba ndaj kundërvajtësve që janë futur në rrugën “Xhorxh Bush”, tash të kthyer në shesh.

Ai ka thënë në emisionin SOT të KTV-së se numri i veturave që po futen në këtë rrugë është i madh, derisa bëri thirrje që pos autobusëve, taksive dhe veturave emergjente, të mos kalojë asnjë veturë tjetër.

“Ka shumë kundërvajtës edhe dje edhe sot, edhe pse kemi bërë njoftimin në media. Ka një numër të veturave që s’e respektojnë këtë vendim. Policët e trafikut janë duke vepruar, dje kanë qenë mbi 100 gjoba për hyrje të veturave që s’janë të lejuar të hyjnë”, ka deklaruar Latifi të martën.

Togeri i Policisë ka bërë të ditur se gjoba për mosrespektimin e shenjës është 40 euro, ndërsa në rast se kalohet vija ndarëse, llogaritet si tejkalim në vijë të plotë. Gjoba për këtë shkelje është 150 euro dhe tre muaj marrje të patentë shoferit.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë dhe ta respektojnë vendimin e komunës. Sheshi është liruar vetëm për transportin publik, është mirë ta respektojnë këtë. Ditën e premte dhe vikendin kemi pasur më pak angazhime. Dje (të hënën v.j.) janë shqiptuar gjoba për mosrespektim të shenjës. Zakonisht s’ka ndodhur tejkalimi i vijës së plotë, me ç’rast s’ka ndodhur marrja e patentë shoferit”, u shpreh tutje ai.

Rruga “Xhorxh Bush” u hap për qarkullim të autobusëve dhe taksive javën e shkuar. Rruga ishte mbyllur që prej 26 nëntorit, me qëllim të shërbimit si shesh për organizimin e aktiviteteve të ndryshme për festat e fundvitit.

{gallery}