Në një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave, ku pikërisht me premtime për viza pretendohet të jenë mashtruar afër 500 kosovarë, Gjykata Themelore në Prizren e ka dhënë vendimin e saj.
Për veprat, nga mashtrimi te shpëlarja e parave e deri edhe te falsifikimi i dokumenteve, kjo gjykatë i shpalli fajtorë Flamur Hoxhën, Besim Rexhajn e Veprim Rexhepin.
Dënimi unik për Hoxhën ishte 6 vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë dhe me të përfunduar shpallja e aktgjykimit, ai është dërguar në paraburgim.
Besim Rexhaj u dënua me 4 vjet burgim e 12 mijë euro gjobë, derisa i akuzuari i tretë në këtë rast, Veprim Rexhepi, për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, u dënua me 6 muaj burgim me kusht.
Për dy të akuzuarit e parë, trupi gjykues vendosi edhe për konfiskimin e disa pronave.
Gjithashtu, pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, nga të akuzuarit është kërkuar të bëhet kompensimi i palëve të dëmtuara.
Megjithatë, sipas avokatit të Flamur Hoxhës, shuma e përmendur si dëm i shkaktuar në këtë rast, është llogaritur gabimisht nga Prokuroria, derisa është paralajmëruar ankesë në Apel.
Për një vizë pune gjermane, pretendohet të jetë paguar deri në 3 mijë euro.
Prokuroria Speciale, për viza dhënë në mënyrë të kundërligjshme dhe mashtrime me viza, ka ngritur dy aktakuza, në raste që ende janë duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në njërin prej tyre, mes të akuzuarve janë djali ish-presidentit Rugova, ish-deputeti Ukë Rugova, e ish-ministri Astrit Haraqia, ndërsa në tjetrin, ish-deputeti Milaim Zeka.