Arbëri

10 milionë euro për kyçjen e lagjes Mati I në ngrohtore

Me riasfaltimin e rrugës, banorët e lagjes Mati I, do të kenë mundësi të kyçen edhe në rrjetin e ngrohjes.

Termokosi tashmë ka filluar punimet e zgjerimit të rrjetit përgjatë rrugës “Muharrem Fejza”, e që pritet të kryhen paralelisht me punimet që tashmë kanë nisur për zgjerimin e kësaj rruge.

Projekti 10 milionë eurosh që është financuar nga Banka Qendrore Gjermane, parasheh kyçjen në rrjet të 50 objekteve të kësaj lagjeje, e po ashtu edhe disa ndërtesa të vjetra të lagjes Qendër dhe Ulpiana.

“Kjo parashihet të kryhet gjatë kësaj vere, do të kryhen paralelisht me punimet që janë duke u zhvilluar në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në bashkëpunim të plotë me operatorët që ka zgjedhur Komuna e Prishtinës, për shkak se do të shfrytëzohet pjesa kur të hapen kanalet për t’u vendosur infrastruktura nëntokësore nga kompanitë tjera, do ta shfrytëzojmë edhe ne atë hapësirë kohore dhe do t’i vendosim gypat për t’i furnizuar këto objekte banesore. Sipas planit dinamik, do të kyçen nga sezoni i ardhshëm”, ka thënë zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka.

Se këto punime do kryhen paralelisht e kanë konfirmuar edhe nga drejtoria për Investime Kapitale por shprehen skeptik nëse Termokos ka hapësirë të mjaftueshme për futjen e gypave në këtë zonë.

“Të gjitha kompanitë janë njoftuar me kohë dhe iu është njoftuar se nuk do të ketë më prerje të rrugës pas riasfaltimit. Prandaj jemi dakorduar që KEDS dhe Termokos të kryejnë punimet para riasfaltimit. Sa i përket Termokosit nuk dihet se si do e bëjnë futjen e gypave pasi aty nuk ka shumë hapësirë. Para fillimit të punimeve Komuna është dakorduar me KEDS dhe Termokos për intervenime gjatë kohës që punohet për riasfaltimin e rrugës. Ndërsa ujësjellësi nuk do të ketë intervenime pasi ekzistojnë gypa përveç rrugëve anësore. Të gjitha këto kompani janë njoftuar se nuk do të ketë prerje të rrugës pas riasfaltimit”, ka thënë Halil Fejziu, zyrtar i lartë për ndërtim urban në Prishtinë.

Sa i përket kësaj çështje Uka thotë se janë bërë të gjitha matjet dhe kanë hapësirë të mjaftueshme për t’i përfunduar të gjitha punimet me kohë.

Banorët e kësaj ane e mirëpresin këtë zgjerim të rrjetit të ngrohjes.

Përderisa një banor që dikur kishte jetuar në lagjen Dardania dhe tani në Mati I, thotë se çmimet me ngrohje nga Termokosi janë shumë të larta.

Kjo gjë, sipas Ukës, shumë shpejt pritet të rregullohet përmes vendosjes së njehsorëve digjitalë te të gjithë konsumatorët përmes 10 milionë dollarëve të ndarë nga Qeveria Amerikane.

Ndërsa, zgjerimi i rrjetit të ngrohjes në lagjet që kanë mungesë, është e pamundur të bëhet njëherë.

“Me kapacitetet ekzistuese është e pamundur që t’i furnizojmë të gjitha lagjet e Prishtinës për faktin se Prishtina është duke u zhvilluar me një ritëm të shpejtuar. Megjithatë, ne kemi menduar edhe për pjesët tjera, të cilat nuk janë të kyçura në rrjetin e ngrohjes. Jemi në proces të realizimit të projekteve të ndryshme. Kemi projektin e radhës për vendosjen e paneleve solare, të cilat pritet të furnizojmë me ngrohje një pjesë të lagjes Arbëria dhe një pjesë të lagjes Tophane”, ka thënë zëdhënësja Uka.

Sa i përket rritjes së kapacitetit nga KEDS-i, Termokos-i tashmë ka siguruar fondet shtesë, por janë në pritje të procedurave për fillimin e intervenimit në terren.