Arbëri

Fushë-Kosova rekruton 24 mësimdhënës pa aprovim nga Ministria e Financave

Fushe-Kosova

Kuvendarët e partisë në pushtet në Fushë-Kosovë kanë marrë vendim për rritjen e numrit të mësimdhënësve në këtë komunë nëpërmjet një vendimi, me arsyetimin se Ministria e Financave nuk po u lejon norma të reja. Por, opozitarët në këtë komunë thonë se vendimi nuk është bazuar në asnjë rregull ligjor dhe si i tillë, sipas tyre, ai do të kthehet si i kundërligjshëm

Komunarët e Fushë-Kosovës e kanë shtuar numrin e mësimdhënësve për 24, ani se për këtë nuk kanë marrë miratimin paraprak nga niveli qendror. Pas zhvillimit të procedurave të konkursit, të enjten është miratuar një vendim në Kuvendin Komunal, me të cilin janë ndarë edhe mjetet buxhetore për pagesën njëvjeçare.

“Norma rritet si rezultat i nevojës për t’u ofruar fëmijëve mësimdhënës. Në Komunën e Fushë-Kosovës ne kemi planifikuar këtë vit afërsisht 1,223 nxënës që do të regjistrohen. Deri në këto momente afërsisht është përmbushur numri i planifikimit të nxënësve të rinj që do të regjistrohen në Komunën e Fushë-Kosovës dhe si rezultat i këtyre nxënësve na detyrohemi që të rekrutojmë mësimdhënës, duke e pasur parasysh nevojën për të qenë mësimdhënësi i pranishëm në shkollë”, ka thënë drejtori për Arsim në këtë komunë, Fatlum Berisha.

Sipas tij, vetëm klasa të para shtesë janë 10.

“Do të thotë pesë klasa i kemi në ‘Mihal Grameno’, tri klasa i kemi në shkollën ‘Daut Bogujevci’, dy klasa i kemi në ‘Mihal Grameni’-aneksi 1. 14 norma të tjera janë në ciklin lëndor 6 deri në 9. Kjo rezulton me 24 norma të reja në Fushë-Kosovë për këtë vit. Do të thotë, shuma të cilën e kemi përpjesëtuar në përpjesëtim me numrin e mëximdhënësve ose të normave prej shtatorit deri në dhjetor-katërmujor dhe deri në fund të vitit shkollor që përfundon është afërsisht 170 mijë euro”, ka theksuar ai.

Para se të bëjnë këtë, drejtori Berisha ka thënë se ka kërkuar nga Ministria e Financave që t’u lejohen norma të reja.

“Arsye e Ministrisë së Financave është se në proporcion me numrin e banorëve Komuna e Fushë-Kosovës ka norma të mjaftueshme. E keni parasysh, regjistrimi i popullsisë nuk ka ndodhur që nga viti 2011 dhe Fushë-Kosova zyrtarisht numëron që i ka 34 mijë e 874 banorë, e që në realitet Fushë-Kosova numëron një numër shumë më të madh të banorëve”, ka thënë ai.

Por, opozitarët në këtë komunë thonë se vendimi nuk ka bazë ligjore dhe si i tillë nuk duhet të jetësohet.

Durim Hajra, shef i Grupit të kuvendarëve të LVV-së në këtë komunë ka theksuar se kjo legjislaturë për dy vjet të mandatit i ka 8 apo 9 vendime të cilat i ka marrë të kundërligjshme e që janë në gjykata.

“I ngjashëm ishte edhe propozimvendimi nga Drejtoria e Arsimit për rritjen e normave në arsim, ku materiali dhe propozimvendimi nuk ishte i përgatitur në mënyrë profesionale dhe nuk kishte bazë ligjore. Andaj, ne nuk u bëmë pjesë e procesit për marrjen e një vendimi të kundërligjshëm. Problemi në arsim me norma edhe me hapësira shkollore është problem i vjetër dhe nuk zgjidhet me vendime të tilla, pra me vendime add-hock dhe të përkohshme”, ka thënë Hajra.

Edhe shefi i Grupit të kuvendarëve të PDK-së, Mirsad Qyqalla, ka theksuar se kërkesa nga Drejtoria për Arsim ka qenë e pabazuar ligjërisht.

“Në mbledhjen e djeshme ka ardhur një kërkesë prej Drejtorisë së Arsimit për 24 norma për një kohë njëvjeçare dhe diku vlera është 170 mijë euro. Thënë realisht ne kemi qenë kundër, se kërkesa qysh ka ardhur, në mënyrën qysh ka ardhur ka qenë e pabazuar pothuajse në asnjë ligj ose ligjërisht ka qenë veç një kërkesë, dhe e pabazuar”, është shprehur Qyqalla. “Ne kemi pasur edhe kundërshtimin tonë për faktin që ky ekzekutiv e ka pru në këtë gjendje arsimin, ku vitin e kaluar janë lejua 156 norma dhe prapë nuk kanë mjaftua. Kjo edhe një herë tregon se si ka qenë gjendja në arsim dhe derisa kemi shkuar duke e rritur qytetin pa asnjë përllogaritje paraprake, pa asnjë infrastrukturë paraprake sa i përket shkollimit”.

Ndërkaq drejtori Fatlum Berisha shprehu pritjen që vendimi të vlerësohet i ligjshëm nga niveli qendror.

“Sa i përket ligjshmërisë së këtij vendimi, unë e kuptoj shqetësimin e opozitës në parim, por nuk e kuptoj një përfundim, përderisa opozita janë banorë të Komunës së Fushë-Kosovës dhe ata përballen çdo ditë me realitetin e ardhjeve të reja në Komunën e Fushë-Kosovës. Këtë shqetësim ose këtë veprim tonin nuk e ka vetëm Drejtoria e Arsimit. Këto shqetësime i ka Drejtoria e Shëndetësisë, këto shqetësime i ka QKMF-ja, këto shqetësime i ka edhe vetë Administrata”, ka thënë Berisha. “Edhe Ministria e Financave, edhe opozita në Komunën e Fushë-Kosovës dhe krejt Kosova në këtë rast e dinë se çka po ndodh në Fushë-Kosovë, e dinë saktë. Tash, a do të ketë ndonjë bazë ligjore për ta kthyer si të ligjshëm këtë vendim, me siguri se do të ketë, por duhet pasur parasysh që prej klasës 1 deri në 9 në Kosovë ligji na obligon fëmijëve t’iu ofrojmë shkollimin e duhur”.

Shkollat e Fushë-Kosovës janë prej më të ngarkuarave, meqë shumë banorë të komunave të tjera janë vendosur në këtë qytet, që është më i afërti me Prishtinën.