Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtat Humanitare ka thënë se padia për gjenocid ndaj Serbisë po shfrytëzohet për konsum politik në Kosovës, pasi nuk ka veprime konkrete.
Blakaj ka thënë se duhet të mblidhen të gjitha provat dhe më pas të konsultohen nga ekspertët, nëse janë prova të duhura për paditje. Ai shton se duhet të merren parasysh përvojat e Bosnjës dhe Kroacisë, që dështuan pasi paditën Serbinë për gjenocid.
“Duhet të dokumentohet e kaluara, të dokumentohen të gjitha krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë. Kjo është primare. Pastaj nga analizimi i këtyre provave që do të mblidheshin do të rezultojë se a ka material të mjaftueshëm për gjenocid apo jo. Por është qasje e gabuar nëse deklarativisht çdo përfaqësues i lartë, bartës i institucioneve, që nga periudha e ish-presidentit Thaçi, por edhe nga kjo qeveri është përmendur vazhdimisht nga ngritja e padisë. Kanë kaluar vite dhe s’ka veprim. Kjo është e dhimbshme. Mendoj që ka të bëjë edhe me promovim politik dhe po përdoret si një lloj instrumenti politik, por s’kemi pa veprime të tilla. S’duhet të paragjykohet cilat do të jenë gjetjet. Është shumë me rëndësi të dokumentohen. Pasi të dokumentohen e mblidhen të gjitha provat, kur i ke të gjitha mbi tavolinë i mbledh ekspertët dhe e vlerëson a ke prova të mjaftueshme. S’është e nevojshme të përmendet, duhet të veprohet. Të ketë ndjekje penale për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Nëse insistohet që veç të përmendet e që qëllimi është të vijë te kjo padi, këshilloj institucionet të jenë të kujdesshme sepse ka përvoja edhe nga Bosnja e Kroacia që e kanë paditur Serbinë dhe të dyja kanë dështuar. Edhe Serbia kishte bërë kundërpadi ndaj Kroacisë për gjenocid, edhe kjo kishte dështuar. Pra duhet të analizohen përvojat e të tjerëve”, ka thënë Blakaj në “60 Minuta” të KTV-së.