Klubi futbollistik Hajvalia në konkurrencën e femrave është shpallur kampione e Superligës së Kosovës.
17 ndeshje të zhvilluara dhe që të gjitha fitore ishin për skuadrën e udhëhequr nga trajneri Emin Bajrami në këtë edicion, raporton KTV.
Ky mund të jetë edicioni më i suksesshëm në histori të Hajvalisë në konkurrencën e femrave, pasi vashat nga paralagjja e Prishtinës në total kanë shënuar plot 135 gola, derisa kanë pësuar vetëm tri herë gjatë gjithë kampionatit, ndërsa vitin që vjen pikërisht kjo skuadër do ta përfaqësojë përsëri Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e fundit për këtë sezon ishte ajo me skuadrën Intelektualet nga Gjilani, të cilën e mposhtën me rezultat 6:0.
Në këtë ndeshje u dallua sulmuesja e krahut Edona Kryeziu, që shënoi katër herë, ndërsa golin e parë e realizoi në minutën e 8-të.
Pas gjysmë ore lojë, Kryeziu shënoi për golin e dytë personal në ndeshje, pas asistimit të Zylfie Bajramajt.
Në minutën e 38-të, Xhemile Berisha tentoi të shënonte nga kjo pozitë, por që topi u ndal nga transversalja dhe skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë që u përfundua pas vetëm 35 minutash, 10 minuta më herët, nga gjyqtari kryesor Selim Hajdari, dhe anësorët Orhan Krasniqi e Kujtim Krasniqi, u karakterizua përsëri me dominim të vashave nga Hajvalia që shënuan edhe katër herë tjera.
Feride Kastrati asistoi për Zylfie Bajramajn, e cila e vetme para portieres kundërshtare Fitore Dalipi, ishte e pagabueshme. Ndodhi kjo në minutën e 50-të.
Në minutën 61, Kryeziu e shënoi het-trikun në këtë takim.
Dy minuta më pas, në listën e realizatoreve hyri edhe kapitenia Gresa Berisha, që e dërgoi topin prapa shpinës së Dalipit, pas një pozite ballore, për 5:0.
Ndërkohë, goli i fundit në takim erdhi në minutën e 65-të, kur Edona Kryeziu e kompletoi katërgolshin në këtë përballje dhe e shndërroi në gol këtë super aksion të ndërtuar.
Pak minuta më pas, vendëset nuk arritën ta shënonin edhe golin e shtatë, pasi nga pika e bardhë dështoi të shënonte Shqipe Berisha dhe kështu ndeshja u mbyll 6:0.
Fituesi i Superligës së femrave në elitën e futbollit tonë do të shpërblehet me 5000 euro nga Federata e Futbollit e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar Kryetarja e Komisionit të Futbollit të Femrave, Vjollcë Krasniqi, që është edhe anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Suksesin e radhës, Hajvalia do ta kërkojë më 31 maj, kur do ta zhvillojë finalen e Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave, e përballë do ta ketë Kosovën e Prishtinës.