Binomi Mercedes-Ferrari shfaqet edhe në Çmimin e Madh të Spanjës, në ndalesën e radhës së Botërorit të Formula 1.
Në pistën e Montmelosë në Barcelonë, ai që shkëlqeu gjatë provave zyrtare ishte Hamilton, i cili dominoi gjatë gjithë kohës. Piloti britanik e fitoi “pole position” e kësaj gare me kohën 1 minutë 19 sekonda e 149 të mijtat.
Nuk ishte shumë larg tij, Sebastian Vettel që në çastet e fundit shënoi kohën e dytë më të mirë me vetëm 51 të mijtat më shumë se Hamilton. Edhe vija e dytë e startit të garës është përvetësuar nga Mercedes dhe Ferrari, me Valteri Bottas në vendin e tretë dhe Kimi Raikkonen në të katërtin.
Pas Mercedes e Ferrarit, skuadra që bëri paraqitjen më të mirë ishte Red Bull që siguroi vendin e 5 dhe të 6 me dy pilotët e saj, transmeton TCH.
McLaren shkaktoi surprizën e madhe në provat zyrtare në Çmimin e Madh të Spanjës, teksa u përfshi në dhjetëshen më të mirë me Fernando Alonson. Piloti 35-vjeçar, për kënaqësi të publikut spanjoll u rendit në vendin e shtatë.