Gazetarja e “Kohës Ditore”, Salie Gajtani-Osmankaq, është kërcënuar nga disa prej banorëve të banesave të uzurpuara në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Të dielën, pas njoftimit zyrtar të Ndërmarrjes Publike Banesore, ku bëhej e ditur se sot (e hënë) nis aksioni i radhës për lirimin e banesave të uzurpuara në “Dardani”, gazetarja Salie Gajtani-Osmankaq ka shkuar për të parë nga afër problemin e banorëve. Sipas saj, me t’u afruar për të biseduar me disa prej atyre që po i bartnin gjësendet shtëpiake, kanë nisur kërcënimet.
“Ndërsa bëhesha gati të bëja fotografi, më janë vërsulur me kërcënimet se nëse do të publikosh diçka do të përballesh me pasoja”, ka thënë Gajtani-Osmankaq. Ia kanë kërkuar telefonin dhe sipas saj kanë tentuar t’ia marrin atë.
“’S’guxon me qit asgjë për neve. Qite storjen, pastaj e shohim, se na po të njohim mirë, e dimë që je e ‘Kohës Ditore’”, ka cituar gazetarja kërcënuesin. Sipas saj, një person i shtyrë në moshë i është drejtuar me fjalët: “Krejt çka jam mbush në të tjerët, e shprazi në ty”. Pas kësaj, gazetarja së bashku me shoferin, Ilir Hamiti, janë larguar, duke u kërkuar banorëve që ta lironin rrugën, pasi ata ishin afruar pranë makinës, duke vazhduar me tonet e kërcënimit.
Gazeta “Koha Ditore” dënon sulmin ndaj ekipit të saj duke e cilësuar atë si kërcënim ndaj së drejtës për informim dhe lirisë së mediave.
Ndërkaq sot në raportin policor konfirmohet se gazetarja është kanosur verbalisht gjersa ajo ishte duke intervistuar disa qytetarë të një blloku banesor në rrugën “Isa Boletini”, Prishtinë.