Prishtinë, 21 mars - Dy drama të dramaturgut të njohur kosovar, Jeton Neziraj, njëra e përkthyer në anglisht dhe tjetra në turqisht, janë përzgjedhur si propozime për inskenim dhe botim.
Komiteti anglez dhe ai turk i rrjetit evropian për përkthime teatrore, “Eurodam”, kanë zgjedhur pikërisht dramat e Nezirajt në mesin e tri të tillave të përkthyera në gjuhët e tyre.
“Një shfaqje teatri me 4 aktorë, me disa derra, me disa lopë, me disa kuaj, me një kryeministër, me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë...” dhe “Peer Gynti nga Kosova” kanë qenë në mesin e 293 propozimeve sa kanë marrë komitetet e 26 gjuhëve. Ky është viti i dytë që dramat e përkthyera të Nezirajt bëhen pjesë e përzgjedhjes së komuniteteve të huaja. Në vitin 2015 komiteti francez kishte zgjedhur shfaqjen “Patriotic Hypermarket”, të cilën më pas e kishte botuar, ndërsa ai italian kishte zgjedhur “Fluturimin mbi Teatrin e Kosovës”. “Eurodram” ka funksionin e bienales ku në vitet çift përzgjidhen dramat origjinale për përkthim, ndërsa në vitet tek bëhet përzgjedhja e dramave të përkthyera në gjuhë të caktuara.
Neziraj e quan befasi të këndshme përzgjedhjen e veprave të tij, sidomos “Shfaqja me katër aktorë...”, e cila është e përkthyer në gjuhën angleze. Sipas tij, në këtë gjuhë ka shumë përkthime, prandaj edhe konkurrenca është më madhe (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).