Kulturë

Amsterdami - magjia e Venedikut të veriut

I njohur si Venediku i veriut, vend i tulipanëve, i muzeve monumentale, i trashëgimisë artistike, i konsumit lirshëm të hashashit e kanabisit, i birrës Amstel e Heineken, udhëtimit me biçikleta, shtëpive të ngushta me çati me kënde, kanaleve të panumërta, Amsterdami është qytet fascinues, shkruan Ilire Zajmi.

Me Amsterdamin, njërin ndër perlat e Evropës dashurohesh në shikim të parë. Një atmosferë lirie e papërshkueshme të kaplon trupin e mendjen. Harlisesh sapo të fillojnë të shfaqen para syve peizazhet e para të një megapolisi përrallor.

Amsterdami ngjason në një grua të bukur. S ‘di nga të fillosh së shijuari hiret e saj magjiplote. Të marrësh njëherë anijen për të shëtitur kanalet e mahnitshme që të kujtojnë Venedikun e famshëm, apo të shëtisësh këmbë në morinë e mijëra turistëve në pjesën e qendrës historike në sheshin Dam. Sheshi Dam është pikënisja e vizitës. Aty ndodhet stacioni qendror hekurudhor, te ana e lumit Amstel. Ky shesh lidh disa nga arteriet kryesore të qendrës historike, të cilat ndodhen përgjatë shtratit të lumit. Atraksionet turistike të Amsterdamit ndodhen në afërsi.

Në perëndim ndodhet ndërtesa e pallatit mbretëror, e cila ka shërbyer si godinë e bashkisë nga viti 1655, derisa u shndërrua në rezidencë mbretërore nga viti 1808. Koninklij Paleis, është rezidenca e mbretit Willem-Alexander dhe familjes së tij. Përballë pallatit mbretëror ndodhet kisha gotike e shekullit pesëmbëdhjetë Nieuwe Kerk dhe muzeu i dyllit Madame Tussauds. Në anën tjetër të sheshit të zë syri Muzeun Kombëtar, të krijuar në vitin 1956 në kujtim të viktimave holandeze të Luftës së Dytë Botërore. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.