Studentët e degës së shqipes në katedrën e gjuhëve të Ballkanit, pranë Universitetit të Karlit në Pragë, organizuan hapjen e një ekspozite me fotografi me pamje të Shqipërisë së viteve të 50-ta të shekullit të kaluar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë muajit maj 2017 në Galerinë Vyton.
Studentët e degës së shqipes, Robert Dobra dhe Matej Krepinsky, gjatë punës së tyre kërkimore për zhvillimin e marrëdhënieve mes Republikës Çeke dhe Shqipërisë, zbuluan në arkivat e Universitetit të Karlit një numër fotografish bardhë e zi nga Shqipëria e viteve të 50-ta të shekullit të kaluar, mbi bazën e të cilave organizuan këtë ekspozitë me foto në gjendje fizike shumë të mirë, transmeton kp.
Ceremonia e hapjes u shoqërua me një koncert të shkurtër muzikor me këngë nga trevat shqiptare në Shqipëri e Kosovë, të kënduara nga Merjola Skëndaj, shoqëruar në pjano nga pianisti Egli Prifti.
Fotoekspozita reflekton punën që bën në vazhdimësi dega e shqipes në Universitetin e Karlit, në bashkëpunim me ambasadën, për promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare në Republikën Çeke, përmes ekspozitave, koncerteve muzikore, mbrëmjeve letrare, përkthimeve të autorëve shqiptarë, ditës së kulturës shqiptare etj.