Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër tre personave H.T, dhe A.V për veprën penale “Fajdeja”, dhe kundër të pandehurit, A.Ç, për veprën penale “Ndihma e kryerjes se veprës penale fajdeja”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit H.T. dhe A.V., nga janari i vitit 2020 e në vazhdimësi deri më datë 15 shtator të vitit 2021, i kanë dhënë shuma të ndryshme të parave me kamatë viktimës.
Kurse, i pandehuri H.T, nga muaji janar 2020 e në vazhdimësi deri më datën 15.09.2021 në Deçan, duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit i jep këtij të fundit para me kamatë në shuma të ndryshme, me vlerë të përgjithshme 18.200 euro, për të cilat i dëmtuari çdo fillim të muajit deri me datën 3, me përjashtim të vonesave për të cilat gjobitej, paguan nga 2.000 euro fajde, ashtu që deri më datën 15.09.2021 i pandehuri H.T, realizon dobi pasurore në emër të fajdesë në vlerë prej rreth 20.000 euro pa e llogaritur shumën bazë ku së bashku me të i pandehuri ia kërkon edhe 25.000 euro dhe ia ndal fajdenë, thuhet në aktakuzë.
“I pandehuri A.V., në fillim të muajit janar 2020 në fshatin Llabjan Komuna e Pejës, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, i jep atij para me kamatë në vlerë të përgjithshme 10.000 euro, mirëpo për shkak të vonesave ia kërkon 15.000 euro, për të cilat i dëmtuari në emër të kamatës, duke përjashtuar vonesat, çdo muaj paguan nga 2.200 euro dhe atë 1.000 euro çdo fillim muaj dhe 1.200 euro me datën 16 të secilit muaj, për çka deri me datën 15.09.2021 i pandehuri A.V., realizon dobi pasurore në emër të fajdesë në vlerë prej rreth 20.000 euro dhe ia kërkon edhe 5.000 euro fajde dhe 10.000 euro të borxhit”.
Kurse, i pandehuri A.Ç., sipas aktakuzë, ka aranzhuar takimet dhe me dashje ka ndihmuar të pandehurin H.T. për të kryer veprën penale “Fajdeja” nga janari i vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021.
Po ashtu, i pandehuri A.Ç., akuzohet edhe për veprën penale “Kanosje”, sepse më datë 15 shtator të vitit 2021, kanos seriozisht viktimën derisa ishte me të njëjtin në veturë, “për t’u takuar me të pandehurin H.T., gjatë rrugës e kanos seriozisht me fjalë se do t’i shkaktoj një të keqe”.