Publicisti Veton Surroi vlerëson se po të ishte procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian i bazuar në merita, atëherë Kosova do të duhej të ishte një shtet kandidat shembull.
“Kosova gjithnjë duhet të dëshmojë disi se si ajo është Evropë, ndërkohë që Kosova ka një përparim të dukshëm reformues në procesin integrues të BE-së. Po të ishte procesi i bazuar në merita, Kosova do të duhej të ishte shtet kandidat, jo vetëm shtet kandidat, por shtet kandidat ekzemplar. Shembull që merret se si prej një pike pak më të prapambetur ka arritur të lëviz shpejt në reformat evropiane”, tha Surroi.
Surroi në “Konfront” të KTV-së ka komentuar skandalin me melodinë e këngës nacionaliste serbe të lëshuar në një manifestim të Komisionit Evropian në Bruksel disa ditë më parë.
Ai ka thënë se ai gabim mund të jetë i grupit slloven që ka interpretuar në koncertin, por ka treguar edhe mungesën e informatave dhe të ndjeshmërisë për krejt rajonin. Ai ka vlerësuar se gabimi ishte i madh. Por, Surroi ka thënë se konteksti më i gjerë është gabimi i bendit slloven, por fakti se ekziston ende konteksti i papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë.
“S’po shohim se në Serbi ka evoluim që të shihet ky si gabim. Slloveni ka mundur të gabojë, por nuk është se i ka goditur shumë njerëz në Serbi. Pos, njerëzve si Natasha Kandiq, që gjithmonë ka reaguar në këto gjëra, ekziston një disponim që e sheh atë këngë bukur reprezentative e përfaqësuese për disponimin politik të Serbisë. Është problem shumë i madh, kemi të bëjmë me gjeneratën që tashmë po e merr pushtetin e është rritur në nacionalizëm serb. Do të jetë problem i një gjenerate, nuk është vetëm problem i pushteteve si të tilla”, tha Surroi.
Surroi ka thënë me ironi se “Kosova ka shpëtuar mirë që nuk është sanksionuar për shkak të këngës nacionaliste serbe”.
“Herën e kaluar u sanksionuam për shkak të veprimeve nacionaliste në veri të Kosovës”, tha Surroi.
Surroi: Kosova mund të bëjë marrëveshje për ndërtimin e një hidrocentrali në Shqipëri
Publicisti Veton Surroi mendon se Kosova do të duhej të koncentrohej të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket gazifikimit të qymyrit.
Surroi ka thënë se SHBA-ja është në majë të hulumtimit e zbatimit të teknologjive të reja që kanë të bëjnë me gazifikimin e qymyrit, e të shndërrimit të tij në forma të tjera të përdorimit të energjisë.
“Do të ishte veprim strategjik për një periudhë shumë të gjatë ndërlidhja e Kosovës me kompanitë amerikane që merren me këtë çështje. Një nga to është në Dakotën e Veriut”, tha Surroi në “Konfront” të KTV-së.
Surroi ka thënë se Kosova ka nevojë për siguri energjetike dhe se energjia elektrike e prodhuar në Kosovë është e shekullit XX.
“Janë termocentrale të ndërtuara gjatë viteve ’70 e ’80 e ne jemi gati në çerek shekullin e XXI. Kosova s’ka bërë asnjë ndryshim transformativ në furnizimin e vetë me energji”, tha Surroi.
Surroi ka thënë se termocentralet aktuale të Kosovës e kanë tejkaluar moti afatin e tyre.
Surroi ka thënë se deri në vitin 2030 në botë parashihet të rritet për 8 për qind nevoja për energji, e kjo nënkupton rritje të çmimeve. Ai ka thënë se derisa shtetet tjera të rajonit e po ashtu evropiane po bëjnë veprime të shpejta për siguri energjetike, ai nuk është i sigurt se Kosova po bën veprime të tilla.
E sa i përket strategjisë që Kosova duhet ta ndjekë për pavarësi energjetike, Surroi ka përmendur dy.
Ai ka thënë se njëra prej tyre tashmë është, bursa shqiptare e energjisë elektrike ALPEX, kompani e përbashkët e Shqipërisë e Kosovës për tregtimin e energjisë elektrike. E një formë tjetër ka thënë se do të ishte ndërtimi i ndonjë termocentrali nga Kosova në Shqipëri.
“Ekziston formë tjetër që mendoj se duhet të shqyrtohet...Kosova ka nevojë për hidroenergji, ndonëse s’ka lumenj. Mund t’i shfrytëzojë resurset e Shqipërisë në marrëveshje me Shqipërinë. Në Shqipëri ekzistojnë dy hidrocentrale norvegjeze. Pse të mos ekziston një hidrocentral i ndërtuar nga Kosova për nevojat e ALPEX-it”, ka thënë Surroi.
Surroi: Ia kam thënë edhe mbrojtjes, s’duhej thënë që s’ka pasur strukturë komanduese në UÇK
Publicisti Veton Surroi, ka thënë se qasja e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, që ndodhen në Hagë, ka qenë e gabuar kur është thënë se nuk ka pasur strukturë udhëheqëse në UÇK, andaj edhe klientët e tyre janë të pafajshëm.
Surroi në emisionin “Konfront” ka thënë se një gjë të tillë e ka cekur edhe në takimet me ta.
Ai tutje ka thënë se si çështje themelore që duhet të trajtohet tani në instancën e Apelit është që nuk ka ekzistuar diçka e tillë si – ndërmarrja e përbashkët kriminale.
“Në bisedat edhe me avokatët e mbrojtjes e kam cekur se ka qenë e gabuar qasja e tyre në mbrojtje sepse strategjia e tyre që nga fillimi ka qenë që të shfajësojnë klientët e tyre nga roli komandues. Pra të thuhet se nuk ka ekzistuar një strukturë komanduese në UÇK prandaj klientët e tyre nuk janë fajtorë. Unë mendoj se kjo nuk ju ka bërë mirë atyre, klientëve të tyre, pra të dënuarve. Çështja themelore që mendoj se duhet të trajtohet në Apel është çështja e ndërmarrje së përbashkët kriminale sepse kjo në gjuhën juridike ka një tavan bukur të lartë për ta arritur, duhet të dëshmohet në një formë shumë më të elaboruar se nuk ka ekzistuar një veprim i tillë. Ne nga jashtë dhe kushdo që përpiqet nga cilido segment i shoqërisë të mendoj se mund të ndikojë në aktgjykim, e ka të gabuar”, ka deklaruar Surroi.
Tutje Surroi ka thënë se edhe vetë miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale u bë nën presionin e turmës dhe “shkel e shko” për shkak të protestave e kërcënimeve.
Sipas Surroit janë vendosur disa precedentë të cilët nuk janë të mirë për shoqërinë sepse nuk duhet të jemi në situatën kur mjafton që një grumbull i njerëzve që ngrihet në protestë dhe të kalohen ligjet siç u kalua ai i Speciales.
“Ligji i mëparshëm u iniciua me protesta dhe kërcënim. Ai edhe u adoptua, u miratua në Kuvend të Kosovës në bazë të kërcënimit të turmës. Në bazë të rrëfimeve të mëpastajme, ne mesin e njerëzve që kanë kërkuar të miratohet ky ligj ka pasur njerëz me granata dore dhe armë të tjera. Ligji ka kaluar nën trysninë e kërcënimeve me dhunë. Ligji është kaluar po ashtu me kërcënim të drejtpërdrejt ndaj deputetëve të Kuvendi të Kosovës dhe kjo është parë edhe me dërgimin e njërit prej deputetëve me forcë që të shkojë në Kuvend dhe të votojë atë ligj. Ligji është votuar duke thënë se është një ligj i cili do të përmbledhë të gjitha nevojat e të dënuarve në Hagë. Pra, kemi ardhë në një situatë ku një numër i njerëzve mund të ngrihet në protestë dhe të kërkojë kalimin e ligjeve të cilat në një formë ose tjetër do të adresojë një dënim të shkallës së parë në gjyq. Pra janë vendosur disa precedentë në jetën publike të cilat nuk janë të mira për këtë shoqëri”, ka deklaruar Surroi.
Surroi ka thënë gjithashtu se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e lexuan ligjin dhe e kaluan “shkel e shko”, pikërisht për shkak të protestave me kërcënime dhe si i tillë tashmë po kërkohet që të ndryshohet sërish.
“Pra nuk është mirë që të kërcënosh me armë për kalimin e një ligji, nuk është mirë që të kërkosh që me ligj të ndryshosh një aktgjykim dhe nuk është e mirë që krejt këtë ta bësh në një turmë e cila nuk e ka lexuar ligjin. Në fund deputetët e Kuvendin e Kosovës nuk e lexuan ligjin dhe e kaluan ‘shkel e shko’”, shtoi Surroi.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike (PDK) janë pajtuar ta bëjnë një projektligj të ri me të cilin synohet t’i kufizohet mandati Gjykatës Speciale.
Ligji është miratuar në dy lexime, por me kërkesë të PDK-së, presidentja Justina Shiroka Pula e pati kthyer në Kuvend. E, PDK-ja ishte bërë sërish pishman, dhe kërkoi që të rrëzohej vetoja e presidentes, në mënyrë që ndryshimet të bëheshin pasi ligji të hynte në fuqi.
Por, pas mospajtimeve me procedurën, dy partitë janë marrë vesh për nismë të re ligjore.
Gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është në pritje që ekspertët ta përfundojnë draftin e ri të Ligjit për Dhomat e Specializuara, pas dakordimit të arritur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për vazhdimin e nismës ligjore.