Arbëri

Zyrtarisht formohet Grupi i Deputetëve të Pavarur

Kuvendi i Kosovës nga sot zyrtarisht e ka edhe një grup të ri parlamentar, Grupin e Deputetëve të Pavarur.

12 deputetë sot u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje për të krijuar Grupin e Deputetëve të Pavarur të udhëhequr nga Dardan Sejdiu, transmeton Koha.net.

“Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare. Kryesia zyrtarizoi kërkesën e 12 deputetëve për krijimin e grupit të ri parlamentar (Grupi i Deputetëve të Pavarur)”, bën të ditur Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës përmes një komunikate për media.

U bë e ditur gjithashtu, edhe për përfaqësimin që do të ketë ky grup në organet e Kuvendit dhe të drejtat që gëzon konform rregullores së Kuvendit. ​

12 deputetët e grupit parlamentar të ri janë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.