Arbëri

Limaj: PDK-ja i ka bërë premtimet dhe duhet të japë përgjigje

Kreu i Nismas, Fatmir Limaj ka thënë se PDK-ja duhet të japë përgjigje për premtimet e saj.

Ai ka akuzuar PDK-në se nuk i ka përmbushur premtimet e saj për tetë vjet qeverisje për punësimin, përmirësimin e gjendjes në arsim, shëndet e ekonomi, transmeton Koha.net. Ai ka folur për dëgjimet që kreu i PDK-së, Kadri Veseli po bën me qytetarët.

“Qeveria duhet të japë përgjigje, e jo të bëj dëgjime të brengave të qytetarëve. PDK-ja i ka bërë premtimet dhe duhet të japë përgjigje. Tetë vjet qeverisje s’ju kanë ndryshuar gjendjen e bujqve, mjekëve, arsimit e tash shkojnë për t’i dëgjuar, një gjë të tillë duhet ta bëjë opozita. Ekonomia është më keq se që ka qenë, problemet sociale janë rritur”, ka thënë Limaj.

Ai më tutje ka thënë se koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është krijuar në tri objektiva, por që sipas tij kanë dështuar t’i qojnë këto procese përpara.

“Kur është ndërtuar ky koalicion është krijuar me tri objektiva: demarkacioni, Asociacioni dhe dialogu me Serbinë. Ata kanë dështuar në të dy temat. Nga fillimi kam thënë se ky është një koalicion i arrogancës. Këta edhe qeverisin edhe të bëjnë përgjegjës për veprimet e veta”, ka thënë ai.

Ai më tutje ka shtuar se aktivizimi qytetar do të largojë paradokset e vendit, pasi sipas tij qytetari ka vendosur që të mos jetë më i përgjumur.

Limaj i ka lutur qytetarët që të mos shajnë shtetin, përkundër gjendjes së rëndë, por fajet sipas tij i ka pushteti dhe pikërisht atë ka thënë se qytetari duhet ta ndëshkojë.

“I lus qytetarët që të mos shajnë shtetin, nuk ka faj shteti por pushteti. Çdo katër vjet ka mundësi të ndërrohet pushteti”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka shtuar se, “situata është e padurueshme dhe është në interesin e Kosovës të shkohet në zgjedhje”.