Arbëri

Haradinaj e Limaj solidarizohen me popullin britanik pas sulmit në Londër

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj kanë shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave të sulmit në Londër, transmeton Koha.net.

Përmes një postimi në Facebook Haradinaj ka thënë se është i mërzitur me atë që ka ndodhur sot në Londër, dhe thekson se Kosova ka 1001 arsye më shumë të jetë solidare me Londrën.

“Jam i indinjuar e i mërzitur me atë çfarë ndodhi sot në Londër. Në këto çaste bashkëndjej me familjet dhe me popullin britanik. Kosova i ka 1001 arsye më shumë të jetë solidare me Londrën sot! Ngushëllimet e mia më të thella për familjet, qeverinë dhe popullin britanik”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Katër persona kanë humbur jetën, dhe 20 të tjerë janë lënduar nga një sulm jashtë Parlamentit britanik, dhe në urën e Westminsterit.Haradinaj vazhdon të jetë i ndaluar në Francë për shkak të një fletarrestimi të Serbisë.

Edhe Limaj gjithashtu ka ngushëlluar familjet e viktimave, ndërsa iu ka uruar shërim më të shpejtë të lënduarve.

“Sinqerisht ndaj dhimbjen time të thellë, me familjarët e viktimave nga sulmi terrorist që ndodhi në Londër të Britanisë së Madhe. Jemi me popullin britanik në këto momente tronditëse për Britaninë e Madhe, për familjet e viktimave dhe të lënduarit nga ky sulm. Ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre, e shërim sa më të shpejtë gjithë atyre që pësuan lëndime nga sulmi terrorist që ndodhi në Londër”, ka shkruar Limaj.