Organizuar nga Fakulteti Juridik në Kolegjin AAB u mbajt ligjërata “Sistemi gjyqësor në Kosovë, sfidat dhe vështirësitë”, ku ishte i ftuar kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.
Në këtë ligjëratë, kryetari i Supremes tha se institucionet e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë, që nga paslufta nuk janë ndalur së punuari që në Kosovë të ketë një sistem të mirëfilltë gjyqësor, ku të gjithë do të jenë të barabartë dhe të trajtohen si të tillë, e që të arrihet kjo neve na duhet një vullnet më madh politik dhe përkushtim i plotë.
“Me vullnet politik mund të bëhet më mirë, gjendja nuk është ajo çfarë dëshirojmë, problem është numri i madh i rasteve, ndoshta do të mund të thosha që problemi është i krijuar edhe nga pushtetet tjera, ngase nuk e ka pasur përkrahjen adekuate në drejtim të përmirësimit edhe të kushteve materiale, edhe të kushteve tjera për gjyqësor”, tha Peci.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha se aktualisht besimi në sistemin e gjyqësisë është i ulët, duke qenë se media ka zbuluar shumë raste të korrupsionit në këtë sektor. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit nënkupton edhe marrjen e masave efektive për forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor në tërësi.
Peci ka kërkuar që misioni i EULEX-it të përfundojë misionin e tij, pasi ka ardhur koha që Kosova të përballet vetë me problemet e saj si shtet i pavarur dhe sovran.
Rektori i Kolegjit AAB, Prof.dr. Lulzim Tafa ua kujtoi studentëve të Fakultetit Juridik se gjenerata e tyre i përket komunitetit të drejtësisë dhe se janë influenca e gjeneratave të reja.
Ligjërata e kryetarit të Suprems, Enver Peci, u ndoq me interesim nga studentët, të cilët patën rastin t’ i bënin pyetje dhe të diskutojnë për çështjet e drejtësisë në Kosovë.