Arbëri

Thirrje për qasje të kujdesshme të Kosovës ndaj paralajmërimeve të fundit nga Serbia

Në Kosovë, njohësit e çështjeve politike po bëjnë thirrje për një qasje të kujdesshme të autoriteteve në Prishtinë ndaj paralajmërimeve të Serbisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ata bëjnë thirrje për krijimin e një platforme konsensuale që lidhet me interesat e shtetit dhe refuzimin e çdo diskutimi me Serbinë për formën e ekzistencës së Kosovës.

Analisti politik Milazim Krasniqi i ka thënë Zërit të Amerikës se nisma e presidentit Vuçiq ka të bëjë me nevojat e Serbisë dhe rrugëtimit të saj drejt integrimeve evropiane. Ai thotë se kë është edhe një ndryshim pozitiv pasiqë sipas tij dalja nga gjendja e tanishme në të cilën është Serbia do ta çojë atë drejt pranimit të një realitetit që ekziston.

Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami thotë se nisma e presidentit serb është rrjedhojë e trysnisë në rritje në kuadër të procesit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai thotë se duhet një qasje e kujdesshme ndaj shtetit serb kundruall Kosovës.

“Serbia nuk heq dorë nga luftimi, të them ashtu, i pavarësisë së Kosovës ose nga përpjekja që së paku një pjesë të Kosovës ta mbajë për veti, ose të krijojë ndonjë lloj entiteti brenda Kosovës sikurse që e ka krijuar në Bosnjë”, ka thënë Bajrami, teksa ka shtuar se kjo është e rrezikshme për Kosovën.

“Ekzistojnë shtete në perëndim, madje edhe prej atyre që e kanë njohur Kosovën që ndoshta mendojnë se ka ende vend për kompromis mes Kosovës dhe Serbisë kur flasin për statusin e Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka thënë se e vetmja mënyrë për të parandaluar qoftë ndarjen e Kosovës qoftë ndonjë lloj autonomie për serbët e Kosovës do të ishte që të themi se për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e Kosovës si shtet, e diskutojmë vetëm me qytetarët e Kosovës.

“Qytetarë të Kosovës janë edhe serbët, dhe nëse duhet që të flasim për Asociacionin e Komunave serbe ajo duhet të flitet me serbët e Kosovës e jo me Beogradin”, ka thënë Bajrami.