Arbëri

Forcat demokratike në Serbi dënojnë dokumentarin rus ku si zgjidhje për Kosovën shihet vetëm lufta

Televizioni shtetëror rus “Russia Today”, seksioni në gjuhën angleze, së fundi ka shfaqur një emision dokumentar për Kosovën të quajtur “Serbia: Shenjat e luftës”, në të cilin lufta paraqitet si e vetmja zgjidhje reale, shkruan të mërkurën gazeta e pavarur serbe “Danas”.

“Russia Today”, por edhe shumë kanale të tjera ruse, janë të ndaluara në shumicën e vendeve evropiane të shfaqen, që prej nisjes së luftës në Ukrainë, përfshirë edhe në Kosovë.

Emisioni i dominuar nga të intervistuarit djathtistë si Misha Vaçiq e Damjan Knezheviq, por edhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Botsan Harchenko, sipas politikanëve demokratë serbë, është tipik i kohës së Milosheviqit - propagandë për nxitje të tensioneve.

Emisioni nis me pamjet e tri lajmeve të televizioneve ruse për barrikadat në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 31 korrik dhe një bisedë me qytetarët që ngjisin stikera në targat e veturave në pikën kufitare, me pretendimin se kjo do të ndalohet vetëm kur në Kosovë të kthehen policia dhe ushtria serbe.

Në emision, po ashtu, u tha se Marko Jakshiq nga Lëvizja Patriotike për Kosovën ka dëgjuar se të shtënat, në kuptimin e vërtetë të luftës, do të fillojnë për “një muaj, tre apo një vit”.

I veshur me një bluzë me shkronjën e madhe Z, Misha Vaçiq thotë se është koha për të zgjidhur çështjen e Kosovës, siç bëri Rusia me Krimenë, dhe se Serbia ka të drejtë, sipas tij, që përmes “operacioneve speciale” të krijojë një botë serbe, ku, sipas tij, do të jetohet “në paqe dhe liri”.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Knezheviq.

“Nuk do të harrojmë asnjë fëmijë, edhe sikur të jetojnë në Mal të Zi, në Bosnjë-Hercegovinë apo në Kosovë. Është detyrë e brezit tonë të sigurojmë që askush të mos mbetet pas, askush të mos harrohet. Shumë veteranë të luftës janë me ne, shumë njerëz që kanë kaluar nëpër Siri, Ukrainë, bombardimet e vitit 1999 janë me në”, ka thënë themeluesi i formacionit të “Patrulla Kombëtare”, Damjan Knezheviq, në një intervistë për RT. Ai kritikoi edhe autoritetet serbe, sepse në mesin e tyre, siç tha, ka dashamirës të Perëndimit.

Një nga bashkëbiseduesit në emision ishte edhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Botsan-Harchenko, i njohur, sipas “Danasit”, për nxitje të urrejtjes.

Ai foli për nevojën e hapjes së një baze ushtarake ruse në Serbi, për të krijuar, sipas tij, një “kundërbalancë ndaj bazës amerikane në Kosovë”. Ai përmendi tri arsye për konfliktin që, sipas tij, mund të ndodhë në Kosovë, se Perëndimi po e shtyn Serbinë drejt vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, se Serbia është e detyruar ta njohë Kosovën dhe se Serbia po kërcënohet me ndërprerje të furnizimit me gaz të lirë.

Gjatë emisionit, “Russia Today” e krahasoi jetën e serbëve në Kosovë me jetën e serbëve në Kroaci gjatë operacionit “Stuhia”, përmes të cilit u çliruan të gjitha tokat kroate nga ushtarët serbë më 1995.

U shfaqën edhe pamjet e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake të Serbisë. U përdorën, po ashtu, pjesë nga fjalimet e patriarkut Porfirie dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Bojan Kostresh, zyrtar i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, thotë se emisioni "Serbia: Shenjat e luftës" është një propagandë tipike luftarake.

“Në fund të fundit, ‘Russia Today’ është një mjet propagandistik i regjimit të Putinit dhe prandaj nuk më habit një shfaqje e tillë. Më habit që këto televizione nuk janë të ndaluara si në të gjithë BE-në. Aleksandar Vuçiq, nëse nuk e dinte deri më tani, dhe dyshoj se nuk e dinte, ai duhet ta kuptojë se Rusia e Putinit nuk është mikja e tij dhe se çdo kërcitje armësh, para së gjithash, do ta godasë Serbinë”, thotë Kostresh. “Serbia dhe Kosova duhet ta shohin realitetin dhe se e vetmja mundësi për të gjithë ne është të heqim dorë nga konflikti i ngrirë, me përshpejtimin e integrimit në BE”.

Dragan Shormaz, zyrtar i Partisë Progresive Serbe, kujton se prej vitesh Rusia po bën një luftë hibride kundër Serbisë dhe se në qendër të këtyre aktiviteteve është Ambasada e saj në Beograd. Përmend edhe qendrën të quajtur humanitare në Nish dhe shumë gazetarë e redaksi serbe në funksion të kësaj propagande.

Aleksandar Olenik, deputet i koalicionit të Vojvodinës, beson se emisioni "Serbia: Shenjat e luftës" është një shembull i propagandës luftarake që përpiqet të imponojë narrativën kriminale të Milosheviqit nga vitet 1990 te brezat e rinj.

Olenik thotë se qëllimi është përgatitja e opinionit publik për konflikte të reja.

“Rusia po përpiqet ta tërheqë Serbinë në konflikte të reja përmes propagandës dhe rrjeteve agjenturore, ndërkohë që këto grupe të krahut të djathtë shërbejnë si shembull për Vuçiqin për të thënë se gjërat mund të jenë më keq. Këto janë arsyet e zgjedhjes së këtyre të ftuarve, por këto janë edhe arsyet pse vendet e BE-së e ndaluan RT-në dhe ne jo vetëm që nuk e bëmë këtë, por edhe e ndihmuam të përhapnin propagandën e Kremlinit”, thotë Olenik për “Danas”.