Arbëri

Mustafa kundër Mini-Schengenit Ballkanik, e quan “mini-Jugosllavi”

Foto: Driton Paçarada / Koha / arkiv

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dalë kundër idesë së Mini-Schengenit Ballkanik. Këtë projekt, ai po e quan “mini-Jugosllavi” të re.

Ndonëse thotë se në shikim të parë ideja e Unionit Doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor, e Tregut të Përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe së fundmi e Mini-Schengenit duken projekte atraktive, “në esencë çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë”.

“Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do t’i përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetëror të Kosovës”, ka thënë Mustafa në një postim në Facebook.

Ai thotë se Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, fillimisht mbi bazën e MSA-së që rregullon edhe doganat dhe Kosova të bëhet pjesë e Marrëveshjes Schengen, ku janë shtetet e BE-së.

“Marrëveshja e Mini-Schengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe ideja për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi. Marrëveshjet e tilla çojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do t’i mbledh në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën (e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), sepse kemi kufirin më të gjatë më të, e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kosova nuk kufizohemi tanipërtani me asnjë nga vendet anëtare të BE-së. Prandaj me këtë marrëveshje sovranitetin tonë do ua kalonim vendeve fqinje, sepse siç dihet Schengeni (mini apo maxi) nënkupton politika unike të vendeve anëtare për kalimin e lirë të kufijve pa kontroll dhe kjo do të vlente edhe për Mini-Schengenin e Serbisë dhe të përkrahësve të hegjemonisë së saj”, ka thënë më tej kreu i LDK-së.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë më tej se politikat e Mini-Schengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i çojnë “në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia”.

“Janë këto manovrime të Serbisë për të bishtnuar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre, por Kosova assesi”, ka përfunduar Mustafa.

Kujtojmë se më 9 tetor u zhvillua takimi i parë i të ashtuquajturit Mini-Schengeni Ballkanik në Novi Sad të Serbisë. Në takim, përveç presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ndërkaq dje në Ohër ka nisur takimi i dytë dyditor me të njëjtin nivel përfaqësimi, kurse sot Zaevit, Ramës e Vuçiqit u janë bashkuar edhe përfaqësues të Bosnjë e Hercegovinës dhe të Malit të Zi.

Kosova ndërkaq ka refuzuar pjesëmarrjen. Presidenti Hashim Thaçi tha dje se nuk merr pjesë në këtë takim për shkak se, mes tjerash, aty janë dy shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke iu referuar Bosnjës e Serbisë.