Arbëri

Hoxha: Kemi punuar me Qelën e Demin, ata do ta votonin demarkacionin

Sipas ministres në detyrë të Drejtësisë, Dhurata Hoxha, vetëm dy deputetë të Grupit Parlamentar të PDK-së kanë qenë në mënyrë të prerë kundër demarkacionit.

Ua ka përmendur emrat, duke thënë se qëndrimin nuk e kanë ndryshuar Nait Hasani e Shapi Muja.

Kësisoj, ajo ka garantuar se dy deputetët tjerë që ishin shprehur kundër kishin ndërruar qëndrim.

“Me Raif Qelën dhe Labinotë Demin kemi punuar. Kanë qenë konstruktivë. Ne vetëm dy deputetë i kemi pasur kundër demarkacionit”, ka thënë Hoxha.

Raif Qela, Labinotë Demi, Nait Hasani e Shapi Muja kishin zhvilluar takim me Ambasadorin amerikan Greg Delawie. Të gjithë pas takimit patën thënë se takimi ishte konstruktiv dhe se ambasadori e tregoi edhe njëherë qëndrimin e SHBA-së, për demarkacionin. Kishin garantuar se nuk kanë ndërruar qëndrim dhe se këtë as që ua kishte kërkuar kush.

Çela gjatë javës ka qenë i ftuar edhe në Interaktiv të KTV-së, ku ka garantuar se do të votonte kundër demarkacionit.