Ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti, thotë se qeveria Mustafa u rrëzua sepse PDK-ja nuk duronte sukseset e qeverisjes së udhëhequr nga LDK-ja.
Në Facebook, Hoti i LDK-së thotë se çdo ditë që kalonte më shumë në qeverisjen e LDK-së, PDK mbetej me më pak shanse në zgjedhjet e ardhshme.
“Është shume e qartë tani. Në zgjedhje po shkojmë sepse partneri i koalicionit nuk ka duruar rezultatet dhe të arriturat e Qeverisë të udhëhequr nga LDK. As edhe një ditë nuk ka mundur të durojë më shumë. Çdo ditë e kaluar më shumë në qeverisje të udhëhequr nga LDK, nënkuptonte më pak gjasa për ta në zgjedhjet e ardhshme. Kjo dhe asgjë tjetër”, ka shkruar ai.
Qeverisja e koalicionit PDK-LDK u rrëzua dje me 78 vota të deputetëve, përfshirë ato të anëtarit të koalicionit, PDK-së.