Sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kjo parti nuk po pëson rënie. Me 11 qershor, thotë ai, do të bëhet e qartë përkrahja e vazhdueshme e qytetarëve për PDK-në.
Hoxhaj thotë se shqetësim aktual është mosbesimi i qytetarëve karshi shtetit të Kosovës. E kjo sipas ish-ministrit të Jashtëm është faj i përbashkët si i pushtetit njëjtë edhe opozitës.
“Ka një mungesë të besimit në shtetin e Kosovës ku ndoshta përgjegjësia është e gjithë neve, edhe e opozitës.
Hoxhaj në Rubikon të KTV-së është shprehur i sigurt në marrëveshjen e demarkacionit. Teksa me garanci ka thënë se do të jetë edhe në mandatin tjetër deputet, nënkryetari i PDK-së dhe ministri në largim, Enver Hoxhaj thotë se nuk ndryshon qëndrim karshi demarkacionit.
Hoxhaj theksoi se marrëveshja është e saktë dhe pushteti i ardhshëm do të përballet me po të njëjtën marrëveshje.
“Unë nuk do të votoj kurrë një marrëveshje tjetër për demarkacionin, pos asaj e cila është nënshkruar në Vjenë. Është e drejtë, besoni. Kushdo që të jetë në pushtet do të përballet me këtë realitet”, ka thënë Hoxhaj.
Shndërrimi i demarkacionit në kauzë politike, thotë Hoxhaj, nuk i ka shërbyer vendit.
“Ratifikimi i kësaj marrëveshje, shndërrimi i kësaj marrëveshje në kauzë nuk i ka shërbyer vendit”, shtoi tutje ai.