Me protesta, mjekët specialistë po kërkojnë që të mos anulohet konkursi i shpallur për ta nga Ministria e Shëndetësisë, raporton KTV.
Inspektorati i Punës ditë më parë ka vendosur që të anulohet ky konkurs me arsyetimin se ky konkurs është dashur të shpallet nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Kërkesën, specialistët e mjekësisë, e kanë prezantuar edhe para kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, në takimin që kanë zhvilluar pas protestës.
Veseli ka thënës të mos jetë në dijeni që këta specialistë janë të papunë. Ai u premtoi atyre që shumë shpejt do të zgjidhet ky problem, pasi sipas tij, Kosova po përballet me një sistem të ngecur shëndetësor.
Veseli i ka ftuar në takim këta doktorë edhe të mërkurën, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje përfundimtare. Basri Ibrahimi nga Inspektorati i Punës, i ka thënë televizionit ARTA se është marrë një vendim ligjor në shkallë të parë, i cili nuk është i plotfuqishëm pasi është në proces.
Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media ka sqaruar se shpallja e konkurseve për vendet e punës për mjekët specialistë është bërë sipas kërkesave të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. MSH siguron specialistët e papunë se do të bëjë çfarë është në përgjegjësinë e saj që ata të sistemohen në afat sa më të shpejt që të jetë e mundur në punë të përhershme.