Ndryshimi i pamjes urbane të Prizrenit pas më shumë se një dekade ka bërë që aktivistët e shoqërisë civile të ngrenë zërin kundërshtues për zhvillimin pa kritere të mirëfillta, përkatësisht degradimin urbanistik, teksa partitë opozitare të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës kanë akuzuar pushtetin për lejim të këtij kaosi.
Përderisa të dyja këto palë e shohin si sfidë të rëndë përballjen me degradimin urban, sidomos sa i përket së ardhmes së shfrytëzimit të potencialit të qytetit, në anën tjetër zyrtarët e lartë të qeverisë komunale pohojnë se këto zhvillime janë në hap me kohën, që e çojnë Prizrenin kah përmbajtja e një qyteti metropolitan, shkruan sot Koha Ditore.
Mirëpo tashmë ka edhe vendime gjyqësore që konfirmojnë se në raste të caktuara ndërtimi i objekteve shumëkatëshe në lagje të ndryshme të qytetit është bërë me shkelje të lejeve urbanistike dhe të legjislacionit në fuqi.
Drejtori i “DokuFestit”, Eroll Bilibani, që njihet me pasionin për fotografinë gjatë fundjavës me aparatin e tij ka zënë një pamje të lagjes “Jeni Mahallë” nga pjesa e Nënkalasë, me ç’rast në mes, mezi dallohet Kisha e Shën Premtes, që aktualisht është monumenti i vetëm i Prizrenit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. “Shumë, shumë e dhimbshme”, është shprehur Bilibani lidhur me këtë pamje.
Në këtë mënyrë ai ka ilustruar me fotografi atë që për shumë vjet e ka konstatuar organizata “EC Ma Ndryshe” gjatë monitorimit të sektorit të urbanizmit në Komunën e Prizrenit. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.