Çfarë shkroi Astrit Dehari në ditarin e tij në 68 ditët në paraburgim [video]

6 Janar 2017 - 19:23      

63 fletë A4 me dorëshkrime të ndryshme të Astrit Deharit dhe 22 fletë nga blloku i shënimeve të tij, janë analizuar nga një ekip mjekësh, për të kuptuar gjendjen e tij emocionale sa ka qenë i paraburgosur në Prizren. Përfundimi i këtij raporti është se i ndjeri Dehari nuk ka pasur gjendje emocionale të rëndë, e cila do të çonte në vetëvrasje.

Analizë shkrimeve të ndryshme të gazetave ditore e kolumneve dhe përkthim librash kishte bërë Astrit Dehari në 68 ditët e tij të qëndrimit në burg.

Dorëshkrimet i kishte mbajtur në 22 fletë në një bllok shënimesh dhe në 63 fleta A4.

Këto i janë nënshtruar një analize të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, të kërkuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, raport të cilin e ka KTV-ja.

Dorëshkrimet në formë ditari janë analizuar për të kuptuar gjendjen emocionale të Astrit Deharit.

Konstatimi i dy neuropsikiatërve, një psikiatri dhe një psikologeje, është se i ndjeri Dehari nuk ka pasur gjendje emocionale të rëndë, e cila do të çonte në vetëvrasje.

“Nuk kemi gjetur shenja, ndonjë plan të përgatitur për vizion determinim negativ në kondita penale. Megjithatë, mund të flitet për një gjendje emocionale me ndryshime të herëpashershme, të varura nga perceptimet ditore të situatës politike, pritjeve, ku herë pas herë ka shprehur ndjenjën e mërzitjes, paqartësi dhe pesimizëm”, shkruan në raport.

Më 2 tetor, pos analizës që iu bënte disa shkrimeve të Kohës Ditore, Dehari shkruante.

“Ditën po jam i qetë, nuk po kam probleme, e njëjta vlen edhe natën. I vetmi interval, në të cilin sadopak po kam brengë e mërzi, është zgjimi në mëngjes. Përkundër pafajësisë së plotë, jam duke përgatitur veten për gjithçka, dënim të gjatë, tortura, shpifje”.

ASTRIT DEHARI, 2.10.2016

 

Dehari analizonte edhe shkresat e lëndës ndaj tij dhe aktivistëve tjerë të VV-së dhe në një shkrim të datës 29 tetor e quante veten të burgosur politik, kurse rastin ndaj tij dhe provat i quante të montuara.

Ai gjithashtu shkruante se si prokurori ende nuk e kishte marrë në pyetje me dyshimin se ‘po montojnë fakte’.

Brengosej për kualifikimin e veprës penale të terrorizmit, derisa bënte llogaritje të moshës së prindërve, gruas së tij dhe vetes se sa vjet do t’i kishte secili nëse dënohet me 15 vjet burgim.

Mes datave 24 dhe 31 tetor, i ndjeri shkruante se është duke e kaluar javën më të keqe që nga fillimi i paraburgimit.

“Po e kuptoj se në çfarë rreziku jam. Risku në politikë është mundësi. Jam shumë i hutuar, kam dëshpërim, frikë, gëzim, entuziazëm e tmerr përbrenda një dite. E pabesueshme! Ditët që po vijnë do të jenë tepër të rënda. E kam fjalën për vitet që po vijnë...”

ASTRIT DEHARI, 24.10.2016

Prokuroria Themelore e Prizrenit e ka hetuar që nga fillimi vetëm pistën e vetëvrasjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.  


Çfarë shkroi Astrit Dehari në ditarin e tij në... by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...