Video

OEK: 52% e kompanive në Kosovë nuk presin ta rrisin punësimin

Për shkak të pandemisë COVID-19, 80 për qind e bizneseve në Kosovë e kanë vlerësuar si të pakënaqshme gjendjen e tyre gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, këto rezultate të klimës së bizneseve janë më të pakënaqshmet që nga paslufta, raporton KOHA.

“Gjithashtu, nëse shkojmë tutje dhe i shohim pritjet për punësim të bizneseve, që zakonisht flasin për një periudhë tremujore apo në periudhën në vijim vetëm 35 për qind e kompanive presin rritje të numrit të punëtorëve, ndërsa pjesa tjetër që është pjesa dërrmuese nuk kanë pritje të tilla. Domethënë mbi 52 për qind e kompanive nuk presin ta rrisin punësimin”, ka thënë Rukiqi.

Sektori i tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë dhe shërbimeve, sipas Rukiqit, janë skeptikë që gjendja mund të përmirësohet së paku në 6 muajt e ardhshëm.

“Nëse e shohim situatën, e shohim pjesa më e madhe e kompanive në 6 muajt e ardhshëm, pra mbi 38 për qind e tyre presin që situata të përkeqësohet në 6 muajt e ardhshëm, domethënë ky vit që ka mbetur dhe pjesa e parë e vitit 2021”, ka shtuar Rukiqi.

Rukiqi ka thënë se rritja e numrit të të infektuarve ndikon në uljen e shpenzimeve të konsumatorëve dhe kjo ka pasoja direkt në rënien e qarkullimit të bizneseve.
Ai deklaroi se është e rëndësishme që ekzekutivi ta menaxhojë mirë situatën me koronavirusin.